Last Updated on 07/04/2026 by Anisa
Të shtënat me armë zjarri u dëgjuan këtë të martë përpara ndërtesës ku ndodhet Konsullata Izraelite në lagjen Beshiktash, Stamboll, duke shkaktuar panik dhe një reagim të shpejtë nga shërbimet e emergjencës.
Sipas burimeve zyrtare tre sulmues u përfshinë në shkëmbim zjarri me policinë ndërsa dy prej tyre u vranë dhe një i tretë u kap i plagosur rëndë. Po ashtu dy oficerë policie u plagosën gjatë ndërhyrjes.
Ekipe të shumta policie u dërguan menjëherë në vendngjarje dhe u morën masa të rrepta sigurie në zonë.
Ministri i Brendshëm turk, Çaliskan Çiftçi, deklaroi se tre individë që u përfshinë në një përleshje të armatosur me policinë para blloqeve Yapı Kredi Plaza në Stamboll janë neutralizuar ndërsa dy oficerë policie pësuan lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.
Sulmuesit kishin arritur në Stamboll nga një qytet tjetër me një automjet me qira ndërsa nga hetimet e para u zbulua se njëri prej tyre ka lidhje me një organizatë që shfrytëzon fenë.
Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, deklaroi:
“Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit nisi menjëherë një hetim mbi incidentin pranë Konsullatës Izraelite. Një zëvendëskryeprokuror dhe dy prokurorë publikë janë caktuar për të hetuar ngjarjen dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Hetimi po zhvillohet me kujdes dhe në koordinim me njësitë përkatëse të zbatimit të ligjit, për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e incidentit.”
Autoritetet po vazhdojnë punën për të sqaruar motivet e sulmit dhe për të mbrojtur sigurinë e zonës dhe personelit diplomatik.
Siç shihet nga pamjet e publikuara nga mediat turke, një prej autorëve shihet i fshehur pas një makine me një kallash në dorë, ndërsa mban edhe një çantë shpine.
Gjatë përplasjes me policinë, dy efektivë policie mbetën po ashtu të plagosur.
Ministri i Brendshëm turk tha se tre autorët janë identifikuar, ndërsa dy prej tyre janë vëllezër. Ata janë futur në Stamboll përmes Izmiti me një makinë të marrë me qira.
Ende mbetet e paqartë nëse kemi të bëjmë me një grup terrorist, por hetimet vijojnë për përcaktimin e këtij sulmi të rëndë.
Sulmi në Stamboll ndodhi në të njëjtën ditë me afatin e caktuar nga Presidenti Donald Trump për Iranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Të dielën, Trump përdori platformën e tij Truth Social për të lëshuar një ultimatum, duke vendosur si afat të fundit të martën në orën 20:00 sipas kohës lindore.
Një ditë më parë, Irani i dërgoi Uashingtonit një propozim me dhjetë pika nëpërmjet Pakistanit, të cilin Trump e përshkroi si një hap domethënës, por të pamjaftueshëm.
“Është një propozim i rëndësishëm, është një hap i rëndësishëm. Nuk është mjaftueshëm i mirë, por është një hap shumë i rëndësishëm”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se ndërmjetësit po vazhdonin diskutimet.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, përgjigjja e Teheranit përfshin kërkesat për t’i dhënë fund të gjitha konflikteve në rajon, një protokoll që rregullon kalimin e sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit, heqjen e sanksioneve dhe një angazhim për rindërtim.
Lufta, e cila ka hyrë në ditën e saj të 39-të, filloi më 28 shkurt pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën një sulm kundër Teheranit, duke vrarë shumë zyrtarë të lartë, përfshirë edhe Udhëheqësin e atëhershëm Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

