Last Updated on 07/04/2026 by Anisa
Irani nuk ka treguar asnjë shenjë se do të pranojë kërkesën e Presidentit amerikan Donald Trump që të hapë Ngushticën e Hormuzit, përndryshe do të përballej me sulme masive ndaj infrastrukturës, në atë që do të ishte eskalimi më i madh deri më tani i luftës.
Një burim i lartë iranian i tha Reuters se Teherani ka refuzuar një propozim të përcjellë nga ndërmjetës për një armëpushim të përkohshëm. Bisedimet për një paqe të qëndrueshme mund të fillojnë vetëm pasi SHBA-ja dhe Izraeli të ndalojnë sulmet, të garantojnë se ato nuk do të rifillojnë dhe të ofrojnë kompensim për dëmet. Çdo marrëveshje e ardhshme duhet ta lejojë Iranin të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit, duke vendosur tarifa për anijet që e përdorin, tha burimi.
Ndërkohë që afati i Trump për “ferrin” afrohet, tregjet globale janë pothuajse të ngrira, në pritje nëse Trump do të zbatojë kërcënimet e tij, apo do t’i tërhiqet, siç ka bërë më parë.
Trump i ka dhënë Iranit afat deri në orën 20:00 në Washington ( 3:30 e mëngjesit në Teheran) për të hequr bllokadën, duke thënë se përndryshe do të shkatërrojë çdo urë dhe termocentral brenda katër orësh.
Irani ka refuzuar kërkesat dhe ka kërcënuar të hakmerret ndaj infrastrukturës së aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.
Në sulmet e fundit gjatë natës, një sinagogë në Teheran u shkatërrua nga ajo që Irani përshkroi si sulme ajrore izraelite. Pamjet në mediat iraniane treguan tekste në gjuhën hebraike të shpërndara në rrënojat e sinagogës Rafi-nia.
“Shpresoj që të jetë një gënjeshtër tjetër”
Brenda Iranit, banorët janë ende të shpresëplotë që eskalimi mund të shmanget.
“Shpresoj që të jetë një gënjeshtër tjetër nga Trump,” tha Shima, 37 vjeçe, nga qyteti i Isfahanit, për Reuters nga telefoni. Si shumë iranianë, ajo tha se dëshironte largimin e qeverisë së rreptë klerikale, “por shkatërrimi i infrastrukturës dhe pamundësia e njerëzve për të ndërtuar të ardhmen e vendit është një çështje tjetër”.
Trump ka tërhequr papritmas kërcënime të ngjashme gjatë javëve të fundit, duke përmendur negociata produktive me figura të paidentifikuara në Iran, edhe pse Teherani e ka mohuar ekzistencën e bisedimeve të vërteta.
Të dy vendet kanë shkëmbyer propozime, me Pakistanin si ndërmjetës kryesor, por nuk ka asnjë shenjë kompromisi, me të dy palët që pretendojnë se kanë fituar luftën dhe kanë kërkesa të panegociueshme për të përfunduar konfliktin.
Ambasadori iranian në Pakistan tha të martën se “përpjekjet pozitive dhe produktive” të Islamabadit për të ndërmjetësuar një fund të luftës po “afroheshin në një fazë kritike dhe të ndjeshme”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Një propozim i ndërmjetësuar nga Pakistani do të parashikonte një armëpushim të përkohshëm dhe heqjen e bllokadës së Iranit mbi Ngushticën , duke shtyrë për më vonë një marrëveshje më të gjerë paqeje.
Por përgjigja 10-pikëshe e Iranit, e raportuar nga agjencia IRNA të hënën, do të kërkonte një fund të përhershëm të luftës, heqjen e sanksioneve dhe një premtim për rindërtimin e vendeve iraniane të dëmtuara nga sulmet izraelito-amerikane.
Ajo gjithashtu do të përfshinte një mekanizëm të ri për të rregulluar kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit – më parë një yonë e lirë përmes së cilës zakonisht kalonte një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm global. Që kur SHBA dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt, Irani e ka mbyllur atë pothuajse për të gjitha anijet përveç të vetave.
Trump vendosi afatin e fundit ndaj Iranit në një mesazh në rrjetet sociale të dielën, duke deklaruar: “Hapni Ngushticën ju të çmendur, ose do të jetoni në Ferr – THJESHT SHIKONI!”, gjuhë që zyrtarët iranianë e përshkruan si të dëshpëruar, madje të çmendur.
Në një konferencë shtypi të hënën, Trump forcoi kërcënimin: “I gjithë vendi mund të shkatërrohet në një natë, dhe ajo natë mund të jetë nesër ” tha ai. “Çdo urë në Iran do të shkatërrohet… Çdo termocentral në Iran do të ndalojë së funksionuari, duke u djegur, shpërthyer dhe kurrë më nuk do të përdoret.”
Kjo ka lënë investitorët të pasigurt midis bastit për një zgjidhje të shpejtë ose një eskalimi të zgjatur, që mund të sjellë një ndërprerje të paparë të furnizimit me energji dhe të godasë ekonominë globale.
“Jemi përsëri në një orë llogaritjeje të imponuar nga Trump dhe nuk ka mënyrë për të parashikuar me besim se çfarë do të ndodhë,” tha Kyle Rodda, analist i lartë i tregut në Capital.com./fjala.al
