Last Updated on 07/04/2026 by EL
Duket se “llogaritë” mes ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, dhe qeverisë shqiptare kanë qenë të gjata dhe të ndërlikuara, por tashmë po shkojnë drejt fundit.
Burime për weblajm.com bëjnë me dije se procesi gjyqësor, i cili nisi pas shkarkimit të tij nga detyra, po mbyllet përfundimisht, pasi shuma në favor të Nanos është arkëtuar e plotë.
Nano fitoi betejën ligjore në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ku togat e zeza e shpallën të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra si kryepolic. Njëkohësisht, gjykata pranoi kërkesën që ai të përfitonte pagën për të gjithë mandatin e plotë pesëvjeçar.
Në fazën e ekzekutimit të vendimit, përmes një studioje përmbarimore, Nano kërkoi kalimin e shumës në favor të tij. Por nga ana tjetër, qeveria jo vetëm që nuk e likuidoi menjëherë detyrimin, por ndërmori një tjetër hap ligjor, duke paditur studion përmbarimore dhe vetë Nanon, me kërkesën për pavlefshmëri të titullit ekzekutiv.
Megjithatë, sipas burimeve për weblajm.com, kjo përplasje e fundit ligjore ka mbetur pa objekt, pasi dëmshpërblimi është ekzekutuar plotësisht, duke i hapur rrugë pushimit të çështjes.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Administrative të Apelit la në fuqi atë të Shkallës së Parë, duke detyruar shtetin shqiptar t’i paguajë ish-kryepolicit një dëmshpërblim prej 60 pagash mujore, që korrespondojnë me mandatin e ndërprerë. Vlera totale e përfituar arrin në rreth 100 mijë euro.
Gledis Nano u shkarkua nga detyra më 31 gusht 2022, me propozim të ish-ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ndërsa kryeministri Edi Rama kishte deklaruar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen. Arsyeja zyrtare për largimin e tij ishte “mosrealizimi i objektivave”./et
