Rreperi i njohur Offset është plagosur me armë zjarri gjatë një incidenti të ndodhur jashtë një kazinoje në Seminole, Florida, sipas burimeve policore.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, pak pas orës 19:00, në zonënpranë Seminole Hard Rock Hotel & Casino Hollywood. Autoritetet konfirmuan se një person ka mbetur i plagosur, por ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Përfaqësues të artistit bënë të ditur se ai është transportuar në spital dhe po merr trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Ai ndodhet në Memorial Regional Hospital dhe nuk është në terapi intensive.
Policia e Seminole bëri me dije se oficerët kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe situata është vënë shpejt nën kontroll. Dy persona janë ndaluar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
Autoritetet theksuan gjithashtu se zona është e sigurt dhe nuk paraqet rrezik për publikun, ndërsa aktiviteti në kazino vazhdon normalisht.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet pas incidentit, ku një person shihet duke u shoqëruar nga policia, ndërsa një tjetër qëndron i shtrirë në tokë i rrethuar nga forcat e rendit.
Lajmi për plagosjen e Offset vjen pas një tjetër tragjedie që preku grupin Migos, pasi anëtari i tyre Takeoff u vra në vitin 2022 në Houston./MXH
