Last Updated on 09/04/2026 by Anisa
Para nisjes së seancës plenare në Kuvend, deputeti Erion Braçe ka denoncuar publikisht situatën e rëndë të mbetjeve urbane në disa zona të kryeqytetit, duke e cilësuar atë si një emergjencë të menjëhershme.
“Para seancës në Kuvend, në terren, si deputet i zonës së ‘5 Majit’, më besoni: inertet urbane janë emergjencë tani në këtë qytet,” u shpreh Braçe.
Sipas tij, gjendja është alarmante në zonën e Bllokut, nga Posta 8 deri te Art Turbina, ku mbetjet janë të pranishme në çdo rrugë.
“Kjo është gjendja në çdo rrugë horizontale, si Margarita Tutulani dhe Marko Boçari, si dhe në çdo rrugë vertikale që kalon brenda lagjeve,” deklaroi ai, duke shtuar se problematika shtrihet edhe në zona të tjera.
Deputeti u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë menjëherë.
“Ju lutem të gjithë atyre që e kanë për detyrë – në Bashki dhe në Policinë Bashkiake – shihini të gjitha pamjet. Pikat e mbetjeve nuk duhen lënë kështu; kjo është papastërti, infeksion dhe burim sëmundjesh,” shkruan Braçe.
Në fund, ai kritikoi edhe justifikimet e zakonshme që, sipas tij, përdoren për të shmangur përgjegjësinë.
“E di që ka një përgjigje: ‘ky popull nuk edukohet’. Por hiqeni nga mendja edhe atë që dëgjohet shpesh nga politikanët: ‘s’ka kohë’. Për punë dhe shërbim, nuk duhet të mungojë kurrë koha,” përfundon Braçe.
