Reperi Offset është parë në publik për herë të parë pas incidentit me armë, ku mbeti i plagosur në këmbë. Ai u fotografua jashtë një spitali në Florida, ndërsa po pinte një cigare, i ulur në një karrige me rrota pranë repartit të kujdesit intensiv.
Artisti, i cili njihet për hitin “Taste”, shoqërohej nga nëna e tij, Latabia Woodward, si dhe një punonjës i stafit mjekësor.
Ngjarja ndodhi në zonën e parkimit të Seminole Hard Rock Hotel & Casino, ku reperi u qëllua pas një përplasjeje që degjeneroi në përdorim arme. Ai u transportua menjëherë në spital dhe, sipas përfaqësuesve të tij, gjendja e tij është e qëndrueshme dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga mjekët.
Autoritetet bëjnë me dije se incidenti nisi si një konflikt fizik dhe përfundoi me plagosje që nuk paraqesin rrezik për jetën. Dy persona janë shoqëruar nga policia dhe situata është tashmë nën kontroll, pa rrezik për qytetarët.
Në lidhje me ngjarjen, është përmendur edhe emri i Lil Tjay, i cili u arrestua për prishje të rendit publik. Megjithatë, përfaqësuesja ligjore e tij ka mohuar çdo lidhje me të shtënat.
Dëshmitarë okularë tregojnë se pak para incidentit, Offset ishte duke kaluar kohë me fansat, duke pozuar për foto dhe duke u shfaqur i qetë.
Ndërkohë, identiteti i autorit të të shtënave dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë./mxh
