Mali i Zi ka ndërmarrë hapa për zgjidhjen e një sërë mosmarrëveshjesh me Kroacinë, të cilat rrezikojnë të pengojnë synimin e Podgoricës për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, sipas Euronews.
Javën e kaluar, Zagrebi paraqiti para vendeve të BE-së një listë me tetë çështje që kërkon të zgjidhen përpara anëtarësimit të Malit të Zi.
Shumica e tyre lidhen me trashëgiminë e luftërave në Ballkan gjatë viteve 1990.
Parlamenti malazez miratoi një ligj për mbrojtjen e monumenteve historike, në përgjigje të kërkesës kroate që të ruhet një pllakë përkujtimore kushtuar viktimave kroate në kampin e ndalimit të Morinjit, i administruar nga Ushtria Popullore Jugosllave.
Një tjetër çështje lidhet me emërtimin e një pishine në Kotor sipas Zoran Gopçeviçit, një ish-lojtar i vaterpolit, i cili pretendohet se kishte shërbyer si komandant turni rojesh në kampin e Morinjit.
Mali i Zi miratoi gjithashtu një ligj që ndalon emërtimin e objekteve sportive sipas personave që kanë vdekur më pak se 40 vjet më parë, masë që do të kërkonte heqjen e emrit të Gopçeviçit, i cili vdiq në vitin 2000.
Kroacia kërkon gjithashtu ndihmën e Malit të Zi për gjetjen e eshtrave të 14 personave të zhdukur gjatë luftërave të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe kompensimin e familjeve kroate që janë privuar në mënyrë të paligjshme nga pronat e tyre.
Të dy vendet i kanë kërkuar Serbisë qasje në arkivat që mund të përmbajnë informacione për viktimat, ndërsa për çështjen e pronave palët kanë rënë dakord për shumën e kompensimit, por vijojnë negociatat për formulimin e marrëveshjes.
Një tjetër mosmarrëveshje lidhet me kufirin tokësor dhe detar mes dy vendeve.
Kroacia kërkon që Mali i Zi të heqë dorë nga mundësia e arbitrazhit për kufirin tokësor, ku mbeten të diskutueshme rreth 200 metra, dhe të përqendrohet te përcaktimi i kufirit detar.
Qeveria kroate i konsideron hapat e fundit të Podgoricës një fillim pozitiv, por kërkon zbatimin e plotë të masave përpara se çështjet të konsiderohen të zgjidhura.
Gjermania, nga ana tjetër, po ushtron presion që Zagrebi të arrijë një marrëveshje sa më shpejt, në mënyrë që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos pengojnë procesin e zgjerimit të BE-së.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Mali i Zi ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe se çështjet e mbetura dypalëshe mund të zgjidhen.
Ndërkohë, Podgorica po vijon përpjekjet përmes dialogut me Zagrebin, me synimin për të shmangur pengesa të reja në rrugën drejt anëtarësimit evropian./mxh
