Rreth 1500 nxënës dhe 150 të vegjël do të përfitojnë nga kompleksi i ri arsimor që po ndërtohet në zonën e Yzberishtit, në rrugën “3 Dëshmorët”, ku po ngrihet një shkollë 9-vjeçare, një shkollë e mesme dhe një kopsht i integruar me hyrje të veçantë. Projekti pritet të përfundojë në shtator të vitit 2027 dhe synon t’i japë zgjidhje mungesës së infrastrukturës arsimore në një nga zonat me rritjen më të shpejtë në kryeqytet.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se ky investim plotëson një kërkesë të hershme të banorëve.
“Jemi në një kantier shumë të madh këtu në zonën e Yzberishtit, ku bëhet fjalë për ndërtimin e tre objekteve arsimore, në një territor të përbashkët. Është shkolla e mesme e cila do të ketë kapacitet për 600 nxënës, shkolla 9-vjeçare për 900 nxënës dhe pastaj kemi edhe kopshtin i cili është i integruar si ndërtesë, por patjetër ka hyrje të veçantë për 144 fëmijë. Kjo zonë ka qenë një ndër ato zona ku kërkesa për objekte arsimore, kërkesa për infrastrukturë ka qenë ndër më të lartat në kryeqytet. Duke qenë një zonë e cila është shtuar në popullatë, dendësuar me ritme shumë të shpejta, mundësia për të bërë infrastrukturë arsimore ka qenë shumë e kufizuar për nga territori”, tha ajo./kb
