Banorët e Teheranit shprehen skeptikë për bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat pritet të zhvillohen në Pakistan, me ndërmjetësim të palëve të treta. Shumë prej tyre nuk besojnë se negociatat mund të sjellin një marrëveshje të qëndrueshme.
Sipas deklaratave të mbledhura në sheshet e kryeqytetit iranian, disa qytetarë mendojnë se tensionet po rriten dhe se palët po largohen nga një kompromis i mundshëm.
Një banore e Teheranit u shpreh se ekziston një mundësi e lartë që marrëveshja e armëpushimit të mos zbatohet, duke theksuar se negociatat nuk duhet të përfundojnë pa u pranuar kushtet e Iranit. Sipas saj, procesi duhet të vazhdojë derisa “agresori të ndëshkohet plotësisht”.
Ndërkohë, qytetarë të tjerë theksojnë se askush nuk dëshiron luftë, por shtojnë se çdo marrëveshje duhet të jetë në favor të vendit të tyre. Sipas tyre, nëse kushtet nuk janë të pranueshme, atëherë më mirë të mos arrihet fare një marrëveshje.
Disa banorë shprehen edhe më skeptikë ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se Uashingtoni ka ndjekur gjithmonë interesat e veta dhe se marrëveshjet e mëparshme kanë shërbyer vetëm si mjete kontrolli.
Pavarësisht tensioneve, ata pranojnë se konflikti nuk mund të zgjasë pafundësisht, por vlerësojnë se momenti aktual nuk është i përshtatshëm për një armëpushim.
Në sfond të këtyre deklaratave, në Teheran shihen edhe mesazhe politike në muret e qytetit, përfshirë slogane anti-amerikane, çka pasqyron klimën e tensionuar që shoqëron zhvillimet e fundit diplomatike.
Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten ende me hendek të madh qëndrimesh, ndërsa palët vijojnë të paraqesin propozime të ndryshme për zgjidhjen e krizës./mxh
