FIFA ka vendosur kundër kërkesës së Iranit për zhvendosjen e ndeshjeve të Kupës së Botës nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, ka deklaruar presidentja meksikane Claudia Sheinbaum.
Irani kishte kërkuar që të mos luante tre ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit më 28 shkurt, i cili çoi në një seri sulmesh dhe një armëpushim të brishtë ditët e fundit.
“FIFA vendosi përfundimisht që ndeshjet nuk mund të zhvendosen nga vendet e tyre origjinale”, tha Sheinbaum në një konferencë për shtyp, duke shtuar se një ndryshim i tillë do të kërkonte një operacion të madh logjistik.
Organizata botërore e futbollit kishte shprehur më herët rezerva ndaj kërkesës së Iranit për zhvendosjen e ndeshjeve kundër Belgjikës, Zelandës së Re dhe Egjiptit, në kuadër të Botërorit që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino kishte theksuar më parë se Irani duhet të marrë pjesë në turne pavarësisht tensioneve politike.
“Ne duam që Irani të luajë; dhe Irani do të luajë në Kupën e Botës. Nuk ka plan B, C ose D – ekziston vetëm plani A”, kishte deklaruar ai për transmetuesit meksikanë “N+ Univision”, dy javë më parë.
Ndërkohë, presidenti i federatës iraniane të futbollit Mehdi Taj ka deklaruar se ekipi po bojkoton SHBA-në, por jo vetë turneun, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pas shpalljes së armëpushimit të fundit, janë paralajmëruar gjithashtu bisedime të reja mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad, Pakistan, në përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, me përshkallëzime ushtarake të mëparshme dhe pasoja të rënda në zonat e prekura, përfshirë edhe ndikime në rrugët strategjike detare si Ngushtica e Hormuzit./mxh
