Në një apartament në lagjen Pinares, në Pereira të Kolumbisë, ka përfunduar arratia e një shtetasi shqiptar të kërkuar nga autoritetet evropiane. Bëhet fjalë për Florind Rama, i njohur edhe me pseudonimin Florin Terziu, ndaj të cilit ishte lëshuar një “Red Notice” nga Interpoli për përfshirje të dyshuar në një rast rrëmbimi, torture dhe vrasjeje të ndodhur në vitin 2022 në Marbella të Spanjës.
Gazeta El Tiempo raporton se arrestimi ishte rezultat i një ndjekjeje që ka zgjatur rreth 30 ditë. Një njësi e Policisë Metropolitane të Pereira-s ka dokumentuar lëvizjet e tij në zonat Cerritos, Pinares dhe Álamos, ku ai ndryshonte vazhdimisht automjetet dhe rutinat, duke ngritur dyshime tek hetuesit e inteligjencës.
Gjatë ndalimit, ai ka tentuar të identifikohet si shtetas gjerman, por autoritetet kishin tashmë informacion për origjinën e tij shqiptare dhe të kaluarën e dyshuar kriminale në Evropë. Po ashtu, është konstatuar se ai përdorte të paktën dy pasaporta për lëvizje në disa shtete evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Malin e Zi, Serbinë, Kroacinë, Gjermaninë dhe Spanjën.
Autoritetet e lidhin atë me struktura kriminale që operojnë në Costa del Sol në Spanjë, një zonë e njohur për aktivitetin e organizatave të trafikut të drogës, si dhe me rrjete kriminale ndërkombëtare.
Rasti për të cilin kërkohej lidhet me vrasjen e ndodhur më 30 qershor 2022 në lagjen Golden Beach në Marbella, ku u gjet i vrarë Aleksandar K., shtetas serb, me shenja torture dhe plagë nga arma e zjarrit.
Sipas dosjeve hetimore në Evropë, viktima kishte lidhje me rrjete të trafikut të drogës dhe kishte bashkëpunuar si informator me autoritetet gjermane, gjë që e kishte bërë figurë kyçe në hetime.
Në këtë rrjet, Florind Rama dyshohet se lidhet me struktura kriminale me origjinë ballkanike dhe kontakte në disa vende evropiane, ndërsa hetimet po vijojnë edhe për lidhje të mundshme me rrjete të trafikut të drogës në Amerikën Latine.
Gjatë hetimeve janë identifikuar edhe mjete të përdorura nga autorët, përfshirë Porsche Cayenne dhe Volkswagen, si dhe përputhje balistike me armë të përdorura në ngjarje të tjera në Gjermani.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve kolumbiane, Europol-it dhe agjencive të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Autoritetet lokale kanë arrestuar gjithashtu edhe persona të tjerë të dyshuar për aktivitete kriminale.
Florind Rama pritet të përballet me procedurat e ekstradimit drejt Evropës, ku kërkohet për vepra penale si vrasje, ndalim i paligjshëm, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa hetimet për rrjetet e tij të dyshuara vijojnë./mxh
