Antonio Konten nuk e ka frikësuar kurrë zhurma e stuhisë. Përkundrazi, duket se është pikërisht zhurma e kundërshtarëve ajo që i jep oksigjenin e nevojshëm për të realizuar arritjet e tij. E gjithë futbolli italian, me përjashtim të popullit napolitan, duket se dëshiron ta shtyjë fort drejt pankinës së Kombëtares, duke e parë si të vetmin pengesë ndaj një krize gjithnjë e më të dukshme dhe shqetësuese.
Por gjithçka në kohën e vet. Së pari është Napoli, së pari është një titull kampion për t’u mbrojtur duke provuar një rikthim të bujshëm ndaj Interit. Nëse zikaltërit ende e ndiejnë frymën në qafë dhe Milani është tashmë jashtë garës, merita ose faji bie tërësisht mbi shpatullat e trajnerit nga Leçe.
Në këtë klimë rrethimi, Napoli është bashkuar rreth udhëheqësit të tij me një besnikëri absolute që shkon përtej dinamikës së zakonshme profesionale: skuadra kishte shumë mundësi për t’u shpërbërë, nga tensionet e ndeshjes me Bolonjën deri te fatkeqësitë e një janari të mallkuar, dhe megjithatë askush nuk u dorëzua, as edhe një centimetër. Përkundrazi, grupi zgjodhi të ndjekë verbërisht njeriun që ka premtuar se nuk do të ndalet para asgjëje, duke e kthyer ëndrrën e Championsit në një mision edhe më ambicioz.
Siç raporton “Il Mattino”, thirrja e Kontes drejtuar lojtarëve të tij, paralajmërimi se këtë titull do t’ia duhet t’ia “shkëpusin fizikisht nga gjoksi” për ta fituar, është bërë betimi i një grupi që nuk fshihet më dhe ka nisur sprintin final me vendosmëri të madhe.
Tani rruga kalon përmes Parmës, ndeshja e parë nga shtatë “stacione” që duken si përplasje të drejtpërdrejta, në një fushë që sjell kujtime të hidhura dhe tensione të së kaluarës, si ato të vitit të kaluar me Kivunë në pankinën e Emilias dhe penalltia e anuluar ndaj Neres në momentet e fundit. Ndërsa tifozët e Napolit shikojnë Tardinin me zemër në dorë, Interi vëzhgon nga larg, i vetëdijshëm se nëse Konte del i padëmtuar edhe nga kjo betejë, sfida e së dielës në Komo do t’u shtojë zikaltërve edhe më shumë presion./mxh
