Një hetim publik në Britani ka përfunduar se vrasja e tre vajzave të mitura në një ngjarje vallëzimi me temë Taylor Swift në vitin 2024 mund të ishte parandaluar, nëse institucionet shtetërore do të kishin vlerësuar siç duhet rrezikun që paraqiste autori i sulmit.
Sipas raportit të publikuar të hënën, një “dështim themelor” i autoriteteve ka bërë që të mos identifikohet në kohë rreziku i paraqitur nga adoleshenti Axel Rudakubana, i cili kreu sulmin me thikë në Southport, në veri të Anglisë, më 29 korrik 2024.
Ai u dënua me të paktën 52 vite burg pasi pranoi vrasjet pak para nisjes së gjyqit.
Kryetari i hetimit, Adrian Fulford, tha se disa institucione, përfshirë policinë, programin kundër radikalizimit “Prevent” dhe shërbimet sociale, nuk arritën të merrnin përgjegjësi për rrezikun që ai përbënte.

Sipas tij, Rudakubana ishte referuar tre herë tek programi “Prevent”, që nga dhjetori i vitit 2019, pasi kishte shkuar në shkollë me thikë dhe kishte bërë kërkime online për sulme në shkolla, por nuk u ndërmorën masa të mëtejshme.
Hetimi thekson gjithashtu një incident të rëndë në të njëjtin vit, kur ai u paraqit në shkollë me një shkop hokeji dhe një thikë, ngjarje e cilësuar si një moment kritik paralajmërues.
Sipas raportit, nëse do të ishin marrë masa të duhura që nga ajo periudhë, tragjedia me shumë gjasa do të ishte shmangur.
Hetimi shton se edhe prindërit e të miturit mbajnë përgjegjësi të konsiderueshme për mosnjoftimin e autoriteteve për sjelljen e rrezikshme të djalit të tyre.
Sulmi i rëndë, ku humbën jetën tre vajza të moshave 6, 7 dhe 9 vjeç dhe u plagosën dhjetë të tjera, shkaktoi tronditje të madhe në Britani dhe u pasua nga protesta dhe trazira në disa qytete të vendit./mxh
