Qytetarë në Algjeri kanë kritikuar presidentin amerikan Donald Trump, pas deklaratave të tij ndaj Papa Leo-s, duke theksuar se kreu i Vatikanit ka bërë thirrje për paqe dhe jo për përfshirje politike.
Në disa reagime për mediat, qytetarët thanë se Papa Leo ka mbajtur qëndrime të qarta në favor të paqes dhe armëpushimit në konflikte të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë në Liban dhe Iran, dhe se sulmet ndaj tij janë të pajustifikuara.
Një qytetar algjerian, Bilal Laurari, u shpreh se Papa nuk ka agjendë politike, por një mision fetar dhe moral, duke shtuar se deklaratat e tij për paqe nuk duhet të shihen si arsye për sulme politike.
Edhe qytetarë të tjerë ndanë të njëjtin qëndrim, duke theksuar se thirrjet për paqe duhet të mirëpriten dhe jo të kritikohen. Sipas tyre, qëndrimet e Papës janë në përputhje me nevojën globale për uljen e tensioneve dhe ndaljen e konflikteve.
Kritikat vijnë në një kohë kur Papa Leo po zhvillon një turne në disa vende afrikane, përfshirë Algjerinë, ku synon të nxisë dialogun dhe të tërheqë vëmendjen ndaj sfidave me të cilat përballet kontinenti afrikan.
Në deklaratat e tij të fundit, Papa ka dënuar ashpër luftën dhe ka bërë thirrje për paqe, ndërsa nga ana tjetër presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur atë “të tmerrshëm”, duke shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare./mxh
