Last Updated on 13/04/2026 by EL
Ditën e nesërme, në paradite, Shoqata e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban do të zhvillojnë një mbledhje për të vendosur mbi mundësinë e reduktimit të flotës së autobusëve në qarkullim.
Shoqata e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i janë drejtuar ditën e sotme, me një tjetër letër, ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për dhënien e kompensimit.
Në mungesë të reagimit institucional, pasi nga ministritë, pas takimit të mbajtur më 1 prill, u premtua një tjetër takim që ende nuk është zhvilluar, operatorët thonë se nuk do të mund të përballojnë vazhdimin e aktivitetit.
Kërkesa kryesore e operatorëve mbetet dhënia e kompensimit, duke zbatuar një skemë të ngjashme me atë të vitit 2022. Nga shoqatat e transportit, në takimin e 1 prillit, është propozuar një masë kompensimi për naftën në vlerën 100 lekë për litër. Në total, në vend, për gjithë sektorin e transportit publik, janë të licencuar rreth 235 operatorë për 450 linja të rregullta./et
