Last Updated on 13/04/2026 by EL
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbajtur fjalën hapëse në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, që po zhvillohet në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Begaj theksoi se shqiptaria nuk kufizohet vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por ka një ndikim global.
“Të nderuar bashkëkombas, miq, të ftuar dhe pjesëmarrës, është kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes në këtë Samit të katërt të Diasporës. Samiti zhvillohet në një moment kyç, teksa vendi është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE. Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës se si mendojmë për shtetin dhe të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbarojnë aty ku mbarojnë kufijtë tanë; ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar.
Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë kudo, nga maja e IA-së, te institucionet ndërkombëtare, auditorët e universiteteve më të mira, si dhe në art e sport.
Ju jeni fuqia jonë, ambasadorët tanë më të mirë, që kontribuoni pa urdhër, por me krenari. Sot jemi në një fazë të re, në një marrëdhënie të re, në një ‘kontratë’ të re, ku diaspora nuk shihet më vetëm si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi. Lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes. Për dekada, diaspora ka qenë një ‘ushtri’ ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur dhe kanë ecur përpara.
Duam që të investoni jo vetëm kapitalin, por edhe dijen tuaj këtu. Tashmë, e drejta e votës nuk është më një premtim, por një realitet. Bota arbëreshe është një dëshmi e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve, por sot sfidat janë të tjera.Historia jonë ka qenë shpesh histori largimesh. Në rrugën drejt Europës, diaspora shqiptare është zëri më i besuar”, u shpreh Begaj./te
