Reperi amerikan Kanye West ka njoftuar shtyrjen e koncertit të planifikuar në Marsejë, Francë, duke deklaruar se eventi nuk do të mbahet “deri në një njoftim të dytë”.
Vendimi vjen vetëm një javë pasi festivali Wireless Festival në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai ishte planifikuar si artist kryesor, u anulua. Autoritetet britanike i refuzuan hyrjen në vend, duke argumentuar se prania e tij nuk ishte në interes të publikut.
Sipas raportimeve të mediave franceze, Ministri i Brendshëm Laurent Nunez kishte shqyrtuar mundësinë e ndalimit të koncertit të 11 qershorit në Marsejë. Burime pranë tij, të cituara nga Agence France-Presse, thanë se ministri ishte “shumë i vendosur” për të ndërhyrë.
Në një reagim në rrjetin social X, artisti i njohur tashmë si Ye u shpreh se vendimi për shtyrjen erdhi pas “shumë mendimesh dhe reflektimi”.
“E di që duhet kohë për të kuptuar sinqeritetin e angazhimit tim për të korrigjuar gabimet. Marr përgjegjësi për atë që më takon, por nuk dua të vendos fansat e mi në mes”, shkroi ai, duke shtuar se mezi pret koncertet e ardhshme.
Kanye West pritej të zhvillonte një turne veror në Evropë, me ndalesa në disa shtete si Turqi, Holandë, Itali, Spanjë dhe Portugali, ndërsa ishte planifikuar të performonte edhe në New Delhi, Indi.
Ndërkohë, autoritetet në vende të tjera evropiane nuk kanë paralajmëruar masa të ngjashme. Ministri holandez i migracionit, Bart van den Brink, ka deklaruar se nuk ka plane për ndalimin e artistit në Holandë.
Prej vitesh, West ka qenë në qendër të kritikave për deklarata antisemitike, raciste dhe që lavdërojnë nazizmin. Në vitin 2022 ai publikoi komente të diskutueshme në rrjete sociale, ndërsa në një intervistë me Alex Jones deklaroi se “shihte gjëra të mira te Hitleri”.
Në maj 2025, ai publikoi një këngë me titull “Heil Hitler” dhe hodhi në shitje bluza me simbole svastika, duke nxitur reagime të ashpra publike.
Së fundmi, reperi ka kërkuar rikthimin në skenën publike, duke kërkuar falje në një deklaratë të publikuar në The Wall Street Journal, ku theksoi se nuk është “nazist apo antisemit” dhe se problemet e tij lidhen me çrregullimin bipolar./mxh
