Është një pyetje që shumë familje do të kenë frikë t’i përgjigjen
Gaby Hinsliff
Jetë mund të ishin shpëtuar, nëse disa nga të rriturit e përfshirë do të kishin vepruar ndryshe. Për të parandaluar një tjetër Southport, prindërit duhet të ndihen të aftë të kërkojnë ndihmë.
Ishte pak para se Axel Rudakubana të largohej nga shtëpia kur nëna e tij mendohet të ketë gjetur paketimin e hedhur të një thike.
Prindërit e tij e dinin tashmë se djali i tyre 17-vjeçar porosiste armë me postë; se shihte online pamje të dhunshme e tronditëse dhe se më parë kishte sulmuar një djalë ndaj të cilit mbante mëri. Në shtëpi, sjellja e tij ishte aq kërcënuese sa familja e vet ecte sikur mbi vezë. Por megjithëse herët e vetme që djali i tyre i mbyllur kishte dalë vullnetarisht nga shtëpia në dy vitet e fundit kishin qenë me qëllime të dhunshme, ata sërish nuk telefonuan policinë kur kuptuan se ai ishte larguar.
Domethënëse është se, kur atë pasdite filluan të qarkullonin lajmet për diçka të tmerrshme që po ndodhte në qytetin e tyre, mendimi i parë i babait të Axel-it, Alphonse, ishte nëse djali i tij mund të ishte i përfshirë. Por atëherë ishte tepër vonë. Tre vajza të vogla nuk do të ktheheshin më kurrë nga kursi veror i vallëzimit, dhe jeta e të mbijetuarve do të ndryshonte përgjithmonë nga ajo që panë. Dhe, në një mënyrë tjetër, edhe jeta e familjes Rudakubana do të ndryshonte po ashtu.
Këtë javë, gjyqtari që drejtoi hetimin publik mbi vrasjet e vitit 2024 në Southport – të Alice da Silva Aguiar, Bebe King dhe Elsie Dot Stancombe – arriti në përfundimin se jetë mund të ishin shpëtuar nëse shumë prej të rriturve që kishin kontakt me Rudakubana do të kishin vepruar ndryshe. Ajo që e dallon këtë raport nga shumë analiza të tjera të ngjashme është përfshirja pa kompromis e prindërve të tij në listën e atyre që dështuan.
Gjyqtari Sir Adrian Fulford pranoi se Alphonse Rudakubana dhe Laetitia Muzayire përballeshin me sfida të mëdha si prindër të dy djemve autikë – më i madhi me karakter të mirë, por që vuante nga një çrregullim neuromuskular. Demonizimi i tyre, tha ai, nuk do të ndihmonte. (Megjithëse klima politike e bën këtë të vështirë: politikani Robert Jenrick ka kërkuar tashmë deportimin e çiftit të lindur në Ruandë, ndonëse ata janë shtetas britanikë.)
Por Fulford arriti në përfundimin se, në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vendosjen e djalit të tyre problematik në kujdes institucional apo në paraburgim, prindërit e tij gënjyen autoritetet dhe madje edhe veten: duke minimizuar dhe fshehur informacion mbi përshkallëzimin e dhunës së tij. Në rastin e babait, ai sfidoi profesionistët që trajtonin djalin në mënyrë aq agresive sa psikiatrja e tij kërkoi për herë të parë në karrierë të largohej nga çështja. Nëna e Axel-it – e mbijetuar, si i shoqi, e gjenocidit në Ruandë – dukej sikur ishte paralizuar nga frika e saj ndaj thikave, aq sa gjyqtari sugjeroi se ndonjëherë mund të ishte shkëputur psikologjikisht nga realiteti përreth.
Disa prindër që lexojnë këtë mund ta kuptojnë dëshirën e dëshpëruar për të mos parë atë që është përpara syve. Pothuajse të gjithë prindërit e kuptojnë frikën e humbjes së një fëmije. Por të mos bësh një telefonatë që mund të kishte shpëtuar fëmijët e të tjerëve? Kjo është e vështirë për t’u përtypur.
Nëse prindërit e Axel Rudakubana ndiheshin të turpëruar të pranonin se kishin frikë nga djali i tyre, ata nuk janë të vetmit. Kjo formë dhune brenda familjes është më e zakonshme nga sa mendohet: në Britani, në pothuajse një në pesë raste të grave të vrara nga burra vitin e kaluar, të dyshuarit ishin djemtë e tyre. Megjithatë, ajo mbetet e fshehur dhe e stigmatizuar. Gabimi fatal i prindërve të Axel-it duket se ishte se panë vetëm nevojën për të mbrojtur fëmijën e tyre, por jo nevojën gjithnjë në rritje për të mbrojtur të tjerët prej tij. Ajo që ndodhi është një kujtesë e gjallë se prindërimi mund të jetë njëkohësisht altruist dhe egoist: ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë pothuajse gjithçka për fëmijët tanë, por interesat e tyre ndonjëherë përplasen me ato të shoqërisë.
Deri ku duhet të mbajnë përgjegjësi prindërit, jo vetëm për fëmijët e tyre, por edhe për sigurinë e të tjerëve? Në SHBA, gjykatat po marrin një qëndrim gjithnjë e më të ashpër: James dhe Jennifer Crumbley u bënë së fundmi prindërit e parë të burgosur për vrasje nga pakujdesia, pasi djali i tyre 15-vjeçar, Ethan, kreu një sulm me armë në shkollë. Gjykata dëgjoi se ata nuk kishin kërkuar ndihmë për përkeqësimin e shëndetit të tij mendor dhe madje i kishin blerë një armë për Krishtlindje. Thirrur në shkollë për të diskutuar një vizatim shqetësues që ai kishte bërë, ata e ndërprenë takimin për t’u kthyer në punë, duke refuzuar ta merrnin djalin në shtëpi. Pak më vonë, ai u kthye në klasë dhe vrau katër adoleshentë.
Nëse Crumbley-t u portretizuan si prindër të shpërqendruar, familja Rudakubana u duk më shumë si e mbërthyer tepër fort me djalin e tyre. Të paaftë për të vendosur kufij – ata nuk guxonin të vendosnin kontroll prindëror në pajisjet e tij nga frika e reagimit – ata fajësuan të gjithë përveç djalit të tyre për veprimet e tij. Çdo shkollë ka hasur prindër të tillë, që nuk e pranojnë kurrë se fëmija i tyre gabon, megjithëse rrallë me pasoja kaq tragjike. Pyetja është: kur prindërimi i dobët kthehet në neglizhencë penale? Dhe çfarë të mire publike sjell burgosja e prindërve, sidomos kur kanë edhe fëmijë të tjerë që nuk duhet të paguajnë për mëkatet e vëllezërve apo motrave?
Fulford rekomandoi shqyrtimin e një vepre të re penale për prindërit ose dëshmitarët që nuk raportojnë sjellje kriminale. Por një ligj i tillë duhet të formulohet me shumë kujdes, që të mos ndëshkojë ata që, pa fajin e tyre, shohin fëmijët të rrëshqasin në boshllëqet e sistemit. (Mjekët e Axel-it nuk gjetën prova të një sëmundjeje mendore dhe, pa një ideologji të qartë terroriste, ai nuk përmbushte kriteret për programin kundër radikalizimit Prevent.)
Një zgjidhje mund të jetë zgjerimi i ligjeve ekzistuese që ndëshkojnë mosraportimin e planeve terroriste, duke i përfshirë edhe sulmet masive pa motiv ideologjik, të shoqëruara me ndërhyrje parandaluese për adoleshentët me rrezik të lartë. Nëse prindërit do të mund të kërkonin ndihmë pa ndjerë se po e dorëzonin fëmijën e tyre në fat të keq, ndoshta do të ishim një hap më pranë parandalimit të tragjedive të tjera si ajo e Southport.
Për momentin, mësimi i hidhur për prindërit e tjerë është ky: duke u përpjekur të mbrojnë fëmijën e tyre mbi të gjithë të tjerët, prindërit e Axel Rudakubana përfundimisht e humbën atë – në një dënim me burg. Dhe ne të tjerët mund të jemi vetëm mirënjohës që nuk përballemi me një zgjedhje të tillë.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
