Menjëherë pas mbylljes së finales së “Big Brother VIP Albania”, fituesja e këtij edicioni, Selin Bollati, ka dhënë një intervistë për Top Channel, ku ndau emocionet e para të triumfit të saj.
Mes emocionesh të forta dhe një atmosfere festive, ajo u shpreh se ende nuk e ka përpunuar plotësisht fitoren pas një rrugëtimi 120-ditor.
“Jam në një miks emocionesh, po shoh familjarët e mi dhe po mundohem të dalloj çdo fytyrë të njohur që ka ardhur për mua. Jam në një shok emocional, por njëkohësisht shumë e lumtur që ky rrugëtim u kurorëzua me fitore,” tha ajo.
Selin tregoi se mendonte se do të kalonte vetëm 20 ditë në këtë format, por përfundoi duke jetuar plot 120 ditë në izolim.
“Ironike është që mendoja se do qëndroja vetëm 20 ditë, ndërsa tani kam frikë të dal jashtë, sepse u mësova me ato kushte,” shtoi ajo.
Ajo e cilësoi mbështetjen e publikut si arritjen më të madhe, përtej çmimit financiar.
“Kam fituar zemrat e publikut. Edhe nëse nuk do ishte çmimi prej 100 mijë eurosh, Big Brother të jep shumë më tepër, kam fituar veten dhe dashurinë,” u shpreh ajo.
Sa i përket jetës personale, Selin la të kuptohet se marrëdhënia me Gimbion pritet të vazhdojë edhe jashtë shtëpisë.
“Na pret një e ardhme shumë e mirë dhe do kemi mundësinë ta zhvillojmë lidhjen tonë larg kamerave,” tha ajo.
Selin u zgjodh si e preferuara e publikut në një televotim kokë më kokë me Mirin, pas eliminimit të Mateos dhe Rogertit, të cilët u shpallën respektivisht finalist i tretë dhe i katërt i “BBVA5”./mxh
