Një sulm i armatosur ka tronditur një lagje në kryeqytetin ukrainas Kiev, ku një person i armatosur vrau gjashtë persona dhe plagosi disa të tjerë përpara se të neutralizohej nga policia.
Sipas dëshmitarëve, ngjarja nisi papritur në një zonë banimi, duke shkaktuar panik mes banorëve që u larguan me fëmijët nga një kënd lojërash aty pranë, ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë automatike.
Një nga dëshmitarët, 72-vjeçari Mykola, i cili jeton në ndërtesën ku nisi sulmi, tha se autori dukej i qetë dhe i zakonshëm, madje e përshkroi si një person që përshëndeste rregullisht banorët. Ai shtoi se, pavarësisht ngjarjes, nuk mund ta kishte imagjinuar si një vrasës.
Sipas tij, autori fillimisht qëlloi disa persona në rrugë, duke plagosur një punonjës mirëmbajtjeje, një grua që më vonë humbi jetën në spital dhe një fëmijë, përpara se të lëvizte drejt një supermarketi aty pranë.
Banorët raportojnë skena paniku, me prindër që merrnin fëmijët me nxitim nga këndi i lojërave, ndërsa zona u mbush me gjurmë gjaku dhe shenja të ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës.
Një tjetër dëshmitare, 31-vjeçarja Daryna, tha se njerëzit vraponin të frikësuar duke bërtitur për t’u fshehur, ndërsa situata ishte kaotike dhe e frikshme.
Një somelier që punon pranë supermarketit ku ndodhën pengmarrjet tha se dëgjoi të shtëna dhe pa njerëz të gjakosur që dilnin me vrap, duke mbyllur menjëherë biznesin e tij.
Autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se autori, i cili thuhet se ishte me origjinë ruse, u barrikadua në supermarket me pengje përpara se të vritej nga forcat e policisë. Hetimet vijojnë, ndërsa ngjarja po trajtohet si akt terrorist./mxh
