Nga Mentor Kikia
Një zyrtar i Bashkisë së Shkodrës doli sot para mediave dhe njoftoi se “Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, del që zjarri në landfillin e Bushatit, që ende vazhdon, nuk ka qenë i qëllimshëm”.
Çfarë do të thotë nuk ka qenë i qëllimshëm?
Kush e përcakton nëse ai ka qenë me qëllim apo pa qëllim?
Ka qenë aksidental, natyral, sabotash, u ndez nga një cigare, nga një shkëndijë elektrike, një punëtor deshi të ngrohej, dikush pa dashje hodhi çakmakun e ndezur mbi një masë kartonësh, apo çfarë?
Edhe në qoftë aksidental, çfarë do të thotë? Edhe aksidenti rrugor aksidental është, por është vepër penale. Në landfill duhet të ketë protokoll sigurie, masa kundër zjarrit, etj.
Mos vallë duhet të ndizet me ceremoni zjarri, edhe me praninë e kamerave, që të quhet i qëllimshëm?
Tek e fundit, konkluzionin në të tilla ngjarje nuk e nxjerr dot askush veç ekspertit që cakton organi përgjegjës për hetimin, që është prokuroria.
Eshtë bërë rrugë që përgjigjet e para, për çdo gjë që ndodh, i japin pushtetarët.
Kështu u tha edhe për djegien e mbetjeve në Vlorë e Elbasan. Edhe kur u shemb rruga në Librazhd, kryeministri doli i pari dhe tha se rruga rrëshkiti për shkak të shiut, jo për shkak të gërryerjes së lumit, jo për shkak të projektimit apo zbatimit të keq. Kush e nxorri këtë konkluzion?
Digjet një pallat në Tiranë, e njëjta histori.
Edhe kur përplasen dy makina, kryehet akt ekspertimi, bëhet një hetim, skica e makinave, rindërtohet ngjarja në letër dhe arrihet në përfundimin se kush ishte fajtor.
Lërini more ekspertët të thonë fjalën e tyre. Apo pushteti flet për ti treguar ekspertit se si duhet ta nxjerrë konkluzionin?
