Last Updated on 20/04/2026 by EL
Shqipëria mbetet një vend i çuditshëm, ku logjika demografike duket se bie ndesh me atë që shohim përditë në asfalt. Përmes një vëzhgimi personal dhe bisedës me një mik që vjen nga jashtë, Çoçoli zbërthen skenat e përditshme të rrugëve tona: nga makinat që shtohen në progresion gjeometrik, te sherret banale mes shoferëve dhe çmimet e naftës që “fluturojnë” pa asnjë shkak real ndërkombëtar.
Sipas analistit, konstatimi është i thjeshtë por i dhimbshëm: “Shqiptarët ikin, po makinat dyfishohen”. Ky fenomen ka sjellë një kaos urban ku mungesa e sinjalistikës dhe rrugët e ngushta përballen me një numër mjetet që nuk njeh rënie.
Një tjetër pikë ku ndalet analiza është abuzimi me çmimet e karburanteve. Çoçoli vëren se tabelat e pikave të karburantit ndryshojnë me një shpejtësi marramendëse, shpeshherë duke përdorur si pretekst konflikte ndërkombëtare (si ai SHBA-Iran) ende pa nisur mirë ato.
Analiza ngre pikëpyetje të forta mbi modelin tonë të zhvillimit. Nëse popullsia po tkurret, përse po rritet konsumi dhe numri i mjeteve? A është ky një tregues i një ekonomie informale, apo thjesht i një keqmenaxhimi total të transportit publik që i detyron njerëzit të qëndrojnë në makinë edhe kur nafta shkon në majat e tabelave?
Ky paradoks mbetet një nga “misteret” e tranzicionit shqiptar, ku asfalti mbetet i nxehtë jo vetëm nga dielli, por nga nervat dhe çmimet që nuk njohin ulje.
“Po si është kaq i cuditshëm ky vend? Gjithmonë themi se kanë ikur shqiptarët, kanë ikur jashtë, kanë emigruar….këtu shqiptarët ikin, po makinat dyfishohen. Ja shihe trafikun, nuk e can dot”.
Këtë konstatim e bëri një miku im që vjen nga jashtë dhe nuk orientohet dot me kaosin e trafikut, mungesën e rrugëve, shkatërrimin e sinjalistikës, ulërimat e papërgjegjshme nga një makinë në tjetrën, meshkuj me benza apo renault clio që mbajnë në qoshen e buzës cigaren që digjet ngadalë dhe që kur ata shfryjnë prej marazit të trafikut, hiri i duhanit u bie nëpër pantallona e mandej ulin kokën ta shkundin ndërsa godasin me parakolpin e makinës, prapakolpin e makinës së mëparshme, duke shkaktuar një “krrau” prej përplasjes, duke hedhur në tokë gjithë neveri pjesën e cigares së mbetur (xhanëm kush po e vret mendjen për pastërti), e duke dalë nga makina gjithë hakërrim, gati për të bërë sherr prej vërteti. Skenat nuk janë surreale, janë të vërteta.
Ato që ndodhin rrugëve të Shqipërisë përditë. Madje dhe konstatimi i mikut tim është i vërtetë. Shqiptarët ikin, por makinat shtohen. Shtohen makinat, por shtohet dhe konsumi i karburanteve. Dhe cmimet, kacafiu. Pa nisur konflikti SHBA – Iran, a thua se të gjithë janë ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, cmimet në tabelat e karburanteve ndryshojnë.”, shkruan ai./et
