Last Updated on 20/04/2026 by EL
Qeveria italiane ka dhënë dritën jeshile për një plan të ri që parashikon hyrjen e rreth 500 mijë punëtorëve nga vendet jashtë Bashkimit Europian gjatë periudhës 2026–2028.
Masa është pjesë e dekretit të flukseve dhe synon të adresojë mungesën strukturore të fuqisë punëtore në sektorë strategjikë të ekonomisë, si bujqësia, turizmi dhe shërbimet.
Sipas të dhënave zyrtare, numri total i vizave të punës që do të lëshohen arrin në 497.550. Shpërndarja do të bëhet në mënyrë progresive: 164.850 kuota për vitin 2026, 165.850 për vitin 2027 dhe 166.850 për vitin 2028. Autoritetet theksojnë se ky plan është hartuar në përgjigje të kërkesave të vazhdueshme të ndërmarrjeve italiane, të cilat përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve vendas.
Një pjesë e rëndësishme e programit i dedikohet edhe punës së pavarur. Parashikohet një kuotë prej 500 vizash në vit për shtetas të huaj që synojnë të zhvillojnë aktivitet ekonomik në Itali. Kjo kategori përfshin sipërmarrës që investojnë të paktën 500 mijë euro dhe krijojnë vende pune, profesionistë të lirë në fusha të rregulluara, si dhe individë që marrin role drejtuese në kompani.
Përfitimi i vizës mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e kritereve ligjore, përfshirë një ofertë konkrete pune nga një subjekt italian ose dëshmi për kapacitete ekonomike dhe strehim në rastet e vetëpunësimit.
Me këtë ndërhyrje, Italia synon të balancojë nevojat e tregut të punës me politikat e migracionit, duke hapur njëkohësisht mundësi të reja për integrimin e punëtorëve të huaj në ekonominë kombëtare./et
