Studiuesit e trurit theksojnë se kujtesa njerëzore nuk varet vetëm nga inteligjenca, por edhe nga mënyra se si përdoret dhe trajnohet.
Sipas kërkimeve të fundit në fushën e neuroshkencës, ekzistojnë disa teknika të thjeshta që mund të ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës afatshkurtër dhe afatgjatë.
Kujtesa funksionon në tre faza kryesore: kujtesa shqisore, ajo punuese dhe kujtesa afatgjatë.
E para regjistron informacionet e menjëhershme nga shqisat, e dyta i mban për disa sekonda për përpunim, ndërsa e treta ruan informacionin për periudha më të gjata kohore, nga minuta deri në vite.
Sipas ekspertëve, kujtesa e punës ka kapacitet të kufizuar dhe ndikohet lehtë nga shpërqendrimet dhe stresi.
Për këtë arsye, studiuesit sugjerojnë pesë hapa praktikë për ta përmirësuar atë:
Së pari, rekomandohet largimi i telefonit gjatë përqendrimit, pasi edhe prania e tij mund të ulë performancën mendore.
Së dyti, reduktimi i stresit përmes teknikave të frymëmarrjes dhe relaksimit ndihmon trurin të funksionojë më mirë.
Së treti, përdorimi i teknikës së “ndarjes në pjesë” (chunking) ndihmon në organizimin e informacionit në grupe më të lehta për t’u mbajtur mend.
Së katërti, praktika e rikujtimit aktiv, si testimi i vetes pa shënime, forcon lidhjet e kujtesës dhe përmirëson ruajtjen e informacionit.
Së fundi, ekspertët theksojnë rëndësinë e pushimeve gjatë studimit, pasi mësimi me intervale është më efektiv sesa përpjekja për të mësuar gjithçka në një seancë të vetme.
Studiuesit përfundojnë se përmirësimi i kujtesës nuk kërkon metoda të ndërlikuara, por ndryshime të vogla në zakonet e përditshme të të mësuarit dhe përqendrimit./MXH
