Një proces gjyqësor i profilit të lartë që përfshin aktoren Rebel Wilson po zhvillohet aktualisht në Sydney, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut.
Sipas dokumenteve të paraqitura më 20 prill, Wilson është paditur për shpifje nga aktorja Charlotte MacInnes. Kjo e fundit pretendon se Wilson ka nënkuptuar në postimet e saj në rrjetet sociale se ajo kishte rrëfyer se ishte ngacmuar seksualisht nga një prej producentëve të filmit The Deb.
Nga ana e saj, Wilson i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se kolegia e saj fillimisht kishte raportuar incidentin, por më pas e kishte tërhequr ankesën në këmbim të përfitimeve profesionale. Ndërkohë, pala e MacInnes e cilëson këtë si një “trillim dashakeq” që ka dëmtuar rëndë reputacionin e saj dhe kërkon dëmshpërblim, duke theksuar se nuk ka ekzistuar kurrë një ankesë zyrtare.
Në qendër të çështjes qëndron një incident i supozuar i ndodhur në shtator 2023 në Bondi Beach. Sipas dëshmive në gjykatë, MacInnes dhe producentja Amanda Ghost kishin shkuar për të notuar, ku kjo e fundit kishte pësuar një reaksion alergjik ndaj ujit të ftohtë. Më pas, ato ishin kthyer në banesë për t’u ngrohur, ku kishin bërë një banjë të nxehtë. Mbrojtja pretendon se gjithçka ka ndodhur pa asnjë kontakt fizik apo sjellje të papërshtatshme.
Dokumentet e paraqitura përfshijnë edhe mesazhe që tregojnë se kishte konfuzion mbi mënyrën se si u interpretua situata, ndërsa mbrojtja e Wilson argumenton se MacInnes ka manipuluar të vërtetën për përfitime në karrierë. Nga ana tjetër, avokatët e aktores këmbëngulin se pretendimet janë të pabazuara dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në imazhin e saj publik.
Gjyqi pritet të zgjasë rreth nëntë ditë dhe është vetëm një nga disa betejat ligjore që Rebel Wilson po përballet aktualisht në lidhje me filmin The Deb, me çështje të tjera që shtrihen edhe në Shtetet e Bashkuara./mxh
