Last Updated on 20/04/2026 by Monika
Nga Ermal Mulosmani
Radev është 62 vjeç, pilot i klasit të parë, ushtarak karriere brilant dhe politikan jashtëzakonisht aktiv, 9 vjet President i Bullgarisë prej Janarit 2017 deri në Janarin e sivjetshëm.
Jeta e tij deri në vitin 2016 i takon ushtrisë. Si puna e Beromit tonë.
Ajo u zhvillua gradualisht nga pilot i thjeshtë deri në Shef i Aviacionit të Bullgarisë për 30 vjet (1987-2017). Duhet thënë që sipas të gjitha vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të profesionistëve të aviacionit, Radev ishte pilot i jashtëzakonshëm dhe studenti më i mirë në të gjitha nivelet.
Në karrierën e tij ka 1400 orë fluturim ndërmjet të cilave ka pilotuar avionë të të gjitha llojeve përfshirë edhe F-15 dhe F-16.
Në vitin 2016 ishte Shef i Flotës Ajrore të Bullgarisë kur i erdhi një propozim për të kandiduar për President të Bullgarisë. Propozimin ia bëri Partia Socialist e Bullgarisë (homologia e Partisë së Punës-trashëgimtarja e ish komunistëve bullgarë) në bashkëpunim me ultranacionalistët e Ringjalljes Bullgare.
Radevi nga momenti i zgjedhjes së tij si President e deri sot i ushtroi kompetencat e veta deri në limitet ekstreme, shpeshherë edhe duke i tejkaluar.
Fakti që asnjë forcë politike në vitet 2017-2026 nuk e dominoi skenën politike bullgare ishte një avantazh i madh për të.
Forcë e parë ishte pothuaj gjithmonë GERB-i i Bojko Borisovit (një akronim që do të thotë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë). Borisovi ishte lider i një parti e qendrës së djathtë që erdhi në fuqi në 2009-ën me bujën e një lëvizjeje antikorrupsion (zakonisht të gjithë hajdutët vijnë me moto të tilla- janë si djathi që ha miu në çarkun e votave).
Borisovi mori 1.7 milion vota aso kohë ose rreth 40% të votave maksimale. Por pushteti dhe korrupsioni galopant, ndërtimi i një shteti mafioz me qendër te Kryeministri, bëri që votat të binin. Në vitin 2017, kohën kur erdhi Rudevi President, Borisovi kishte 1,150,000 vota, ose 32% të elektoratit. Mjaftueshëm për të qeverisur me koalicione, akoma ishte i parë.
Ndërsa ish komunistët që e propozuan Radevin kishin diku te 1 milionshi. Pra nuk ishin fort larg me njëri tjetrin si rezultat (90 me 85 vende në Parlament).
Por këtu morën fund ditët e mira për këto dy Parti. Vec për të kuptuar diferencën: Në zgjedhjet e fundit Partia Socialiste nuk është futur fare në Parlament ndërsa Bojko Borisovi ka 13.6% ose 39 deputetë nga 240.
Ndërsa “mjeshtri” Radev ka marrë 1,445,000 vota. Ose 131 deputetë. Pra vendi i parë me të dytin kanë 92 deputetë! Zhgjup!
Po si arriti piloti i talentuar të bëhet idhulli i bullgarëve?! Duke bërë politikë për çdo ditë që shkonte në punë. Ai u shkëput direkt nga ata që e propozuan dhe pa veç punën e tij. Sigurisht duke veshur petkun e interesave të popullit.
Kur përplasej me Borisovin të cilin e kishte si me thënë bash rival direkt, ia përplaste turinjve: “Ke vënë bast me amnezinë e popullit”.
Borisovi kishte ra në hundëlesh. Nuk e duronte por nuk kishte ça t’i bënte. Ndonjëherë i lëshonte ndonjë “Je si një vjehrrë e llojit më të ndyrë”. Prej zemrës së plasur.
Rudevi kthente sistematikisht vendime të parlamentit duke u faktorizuar çdo ditë e më shumë. Bënte edhe intriga sigurisht, ishte mjeshtër. Një herë dolën ca foto të Borisovit të shtrirë në një krevat si pallosh, gjysmëlakuriq mbuluar me një mbulesë (foto në fund të shkrimit).
Në foto dukej një si komedinë konvikti me një pistoletë sipër dhe kartmonedha 500 euroshe brenda sirtarit. Dukej si një karikaturë por me shumë gjasë ishte e vërtetë. Borisovi e pranoi që dhoma ishte e tij por refuzoi të pranonte që kartmonedhat dhe pistoleta të kenë qenë me të vërtetë. (Mendoj që mjafton fakti që Borisovi pranon të ishte ai palloshi i shtrirë për të dhënë dorëheqje. Nga ana tjetër, besoj që edhe paratë edhe pistoleta të kenë qenë reale, ai stan atë bulmet ka).
Borisovi shkoi deri aty sa e akuzoi Radevin se ai vetë e ka pilotuar një dron që ka ardhë deri te dhoma e Borisovit dhe ka bërë fotot….
Rudevi është në përgjithësi pro rus. Domethënë i pëlqen të mos prishet me rusët. Siç duket sheh më shumë qëndrueshmëri te ata sesa evropianët apo amerikanët (megjithëse ka qenë disa herë në qendrat më të sofistikuara amerikane të pilotimit për tu specializuar).
Për shembull, kur kompania ruse Gazprom njoftoi se do të ndërpriste furnizimet në Bullgari, pasi Bullgaria refuzoi të paguante në rubla, Radevi kritikoi qeverinë. Ai pretendonte se qasja agresive e politikës së jashtme të qeverisë, duke përfshirë vizitat shtetërore në Kiev, rrezikoi sigurinë energjetike.
Naton nuk e ka fort për zemër, sa herë bëhen Samite të Natos në Bullgari e lë Kryeminsitrin të shkojë, vetë gjen ca punë të tjera më të rëndësishme. Për qasjen ndaj Ukrainës ka të njëjtën pikëpamje me zotin Trump.
Skandalet e njëpasnjëshme të qeverisjes, përfshirë edhe ato të drejtësisë me protagonist kryeprokurorin Genesh – një instrument në duart e Borisovit- e ndihmonin të nxirrte në pah anët e veta më të mira. Sulmet e tij veç e vlerësonin në popull. Ai ishte i vetmi politikan bullgar që kishte miratimin e më shumë se 55% të zgjedhësve pothuaj gjatë gjithë kohës në Presidencë.
Si një zevzek që xhonglonte me populizëm, nacionalizëm dhe një retorikë antikorrupsion, zoti Rudev u konsolidua si alternativa anti-Borisov. Nuk është e vërtetë që doli nga hiçi. Rudev ka dhjetë vite që është politikani më popullor në Bullgari. Por duke qenë edhe President nuk merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Qeverisja pas vitit 2021 në Bullgari ishte një gallatë e madhe. Çdo tre muaj emërohej një Kryeministër i përkohshëm që e çonte vendin në zgjedhje. Pas të cilave nuk formohej Qeveri normale pasi nuk kapeshin shumicat parlamentare. Duke e kthyer presidentin Rudev gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes. Gjë të cilën ai mezi e priste. Për 4-5 vjet krijoi nja 5 a 6 qeveri të përkohshme. U bë rrumpallë politika. Bullgarët protestonin. Shfrytëzoi edhe idenë e futjes së euros në Bullgari për të shtuar vota. Futja e Euros ishte një premtim dhe angazhim Bullgarisë përpara Bashkimit Evriopian. Por mjeshtri thoshte jo, nuk jemi gati. Do bëj referendum thoshte, t’i pyes qytetarët. Megjithëse kishte një vendim të GJK të Bullgarisë që e rrëzonte këtë ide. Puna nuk ishte te e vërteta, puna ishte që të merrte vota, të dukej që ky ka hallin e popullit.
Dhe kur vendi ishte sallatë, në Janar të këtij viti, Rudev dha dorëheqje në Gjykatë Kushtetuese!
Nuk kishte kohë më të mirë për ta bërë. I shkatërroi të gjithë.
Veç tani fillon puna e vërte e tij. Të bësh opozitë ëahtë shumë më kollaj.
