Nga Fatos Fico
Ekspert i zhvillimit të qëndrueshëm
Nëse do të kërkonim mjetet ku konsumohet koha më e madhe në Shqipëri, ato ekzistojnë në çdo shtëpi dhe në çdo xhep. Nëse vëmendja do të ishte një resurs natyror, Shqipëria do të ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të kohës njerëzore dhe të vëmendjes drejt ekraneve, por pa marrë asnjë fitim mbrapsht.
Duke u bazuar në të dhënat, rezulton se çdo 24 orë, makineria mediatike përmes televizioneve tradicionale dhe rrjeteve sociale u merr shqiptarëve afro 6.3 milionë orë kohë, mesatarisht rreth 3.5 orë për çdo të rritur për kategoritë kryesore “të zhurmës” mediatike e sociale.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një treg mediatik e social të mbingopur, por për një kosto kohore, e meqë në ekonominë e tregut koha është para, këto vlera janë të konsiderueshme. Është krijuar një mekanizëm ku pothuaj e gjithë vëmendja e një kombi përqendrohet e kushtëzuar, duke lënë pas një deficit të madh kohor, dijesh, ekonomik, e produktiv.
Për ta vënë këtë kosto në perspektivë: i gjithë sektori formal privat në Shqipëri, rreth 550,000 të punësuar duke punuar 8 orë në ditë, prodhojnë 4.4 milionë orë punë. Kjo shifër e krahasuar me atë më sipër na tregon se vëmendja ndaj ekranit të madh dhe atij të vogël konsumon më shumë kohë dhe energji sesa ajo që mban në këmbë të gjithë ekonominë reale të vendit.
Për të kuptuar përmasat reale të kësaj, duhet të bëjmë një ndarje mes konsumit dhe ekspozimit. Konsumi është koha aktive, në fakt pasive, për ato minuta dhe orë që qytetari ulet para ekranit për të ndjekur një emision apo duke parë ekranin e celularit. Ekspozimi, nga ana tjetër, është i kudogjendur dhe i pavullnetshëm, ai mat sa herë individi “goditet” nga informacione specifike përmes ekraneve, si në televizor dhe në “telefon”.
Në konsum kemi një “yll me pesë cepa” i cili e mban shoqërinë pezull:
- Politika (ose stresi kronik): rreth 2.1 milionë orë-njeri në ditë. Një zhurmë panelesh që monopolizon vëmendjen duke mbajtur të gjallë dhe të fortë polarizimin për shikueshmëri.
- Reality Show (dallgë sezonale): rreth 2.2 milionë orë në ditë gjatë sezonit, duke ofruar një shkëputje nga realiteti dhe një “arratisje” drejt një drame artificiale që zëvendëson angazhimin qytetar.
- Investigimi i krimit (kurioziteti i errët): Mbi 2.5 milionë orë në javë. Rindërtime të kronikës së zezë në emisione të ndryshme dhe intervista që ushqejnë kuriozitetin morbid për detajet e dosjeve kriminale, duke mbledhur qindra mijëra shikues në kohët e transmetimit.
- Telenovelat (anestezia): Mbi 1.5 milionë orë në ditë. Me transmetime të përditshme maratonë pothuajse në çdo kanal televiziv, ato ofrojnë një strukturë arratisjeje, ku e mira fiton gjithmonë në fund, e një ngushëllim emocional.
- Pseudo-shkenca, gjuhësia, historia etj. si narrativa alternative: rreth 275,000 orë në ditë. E amplifikuar masivisht nga algoritmet e rrjeteve sociale, por e ushqyer dhe nga koha televizive dhe intervistat. Ky fluks gjeneron interes të lartë përmes tezave të pakonfirmuara shkencërisht që prodhojnë krenari kombëtare të gatshme, duke shmangur nevojën për edukim e kërkime reale.
Pasi pamë konsumin, të shohim mbingopjen nga ekspozimi. Në një cikël mesatar 24-orësh, makineria mediatike prodhon me mijëra përmendje emrat e liderëve politikë, si Rama, i cili shfaqet afro 1,200 herë; ai i Berishës rreth 900 herë, dhe referencat ndaj të shkuarës, si Hoxha, rreth 120 herë.
Nëse e përkthejmë këtë fluks në nivelin e një individi, një shqiptar mesatar e dëgjon ose e sheh të theksuar emrin e liderëve politikë rreth 120 herë çdo ditë—jo sepse e shikon televizorin për 12 orë, por sepse informacioni e ndjek ngado. Për grup-moshat më të reja, por jo vetëm, algoritmet i shtojnë këtij fluksi edhe personazhe viralë të sezonit si Luizi apo Moza, të cilët shfaqen në ekrane rreth 80 deri në 100 herë në ditë.
Për krahasim, ky model i “ngopjes maksimale” është një tipar i njohur i rajonit dhe Evropës Lindore. Ngjashëm me Shqipërinë, në Serbi emri i Vučić apo në Hungari ku ai i Orbán dominonte tërësisht hapësirën shtetërore e private, qytetarëve ju ekspozohen mbi 100-150 herë në ditë.
Kjo në kontrast të fortë me demokracitë e konsoliduara perëndimore si Gjermania apo Mbretëria e Bashkuar, ku një qytetar mesatar e dëgjon të përmenden kancelarin Merz apo kryeministrin Starmer vetëm 10 deri në 15 herë në ditë. Përjashtim global mbetet Donald Trump në USA me 250-350 përmendje a ekspozim në ditë, si fenomen botëror i pop-kulturës politike.
Në marketingun e korporatave prodhuese dhe tregtare, nëse gjigantët si Coca-Cola apo Apple arrijnë të ekspozojnë shikuesin ndaj markës së tyre 5 herë në ditë, konsiderohet se kanë arritur “dominim total të tregut”. Emrat e politikës shqiptare arrijnë të shfaqen mbi 100 herë në ditë.
Një shqiptar i zakonshëm ekspozohet ndaj dhe e dëgjon emrin e politikanëve me dhjetëra herë gjatë ditës dhe këto dhjetëra herë më shumë sesa ai vetë përdor fjalë të përditshme si “mirëdita” apo “faleminderit”, dhe me mijëra herë më shpesh në total se sa dëgjon terma ekonomikë si “inflacion” apo “industrializim”.
Pasojat dhe shifrat e konsumit dhe ekspozimit janë te tilla që kalojnë nga sociologjike në alarmante. Shqiptarët i dedikojnë ekraneve mbi 2.3 miliardë orë në vit për 5 kategoritë “e yllit mediatik”, një shifër që barazohet me afro 262,000 vite të plota jetë njerëzore.
Nëse izolojmë vetëm konsumin e drejtpërdrejtë të politikës, kryqëzimi i shifrave mediatike me popullsinë e rritur, rreth 1.8 milionë banorë, mund të vërejmë se:
- Kostoja individuale dhe kontrasti europian, një i rritur shqiptar shpenzon mesatarisht 425 orë në vit duke konsumuar politikë në mënyrë pasive, rreth 70 minuta në ditë. Ky është ekuivalenti i 53 ditëve të plota pune, nga 8 orë çdo ditë. Për të theksuar këtë anomali, studimet evropiane tregojnë se një qytetar në Gjermani apo Mbretërinë e Bashkuar shpenzon mesatarisht më pak se 15 minuta në ditë i ekspozuar ndaj lajmeve strikte politike, duke përfshirë këtu totalin e kohës në mediat tradicionale dhe ato sociale.
- Pesha e dy dekadave, e ndikuar masivisht nga hyrja e smartfonëve dhe rrjeteve sociale, në 20 vitet e fundit shoqëria shqiptare ka shpenzuar pasivisht plot 9.1 miliardë orë njerëzore përballë zhurmës politike. Kjo është kohë e mjaftueshme për të kryer projekte të mëdha infrastrukturore apo inxhinierike: mund të kishim ndërtuar piramidat Egjiptit nga e para, ose të kishim vajtur në Hënë si NASA, ose mund të ribënim nga e para të gjithë bunkerët dhe veprat industriale, për nostalgjikët.
- Kostoja financiare, me një vlerë afër sa paga minimale prej 2 euro/ora, kostoja e vëmendjes vetëm për politikën kap shifrën 4.2 milionë euro në ditë ose mbi 1.5 miliardë euro në vit. Kur llogaritet konsumi i përgjithshëm i ekraneve për kategoritë e mësipërme ai del rreth 6.3 milionë orë në ditë dhe vlera globale e vëmendjes së shpenzuar i kalon 4.6 miliardë eurot në vit. Ky potencial kohor është i barabartë me rreth dy të tretat ose rreth 65% të të gjithë buxhetit vjetor të shtetit shqiptar.
Për ta mbajtur këtë industrie në punë, sistemi mediatik mbështetet në dy mekanizma kryesorë. I pari është paradoksi i “ekspertit universal”. Për të mbushur orët e transmetimit me kosto prodhimi minimale, ekranet përdorin të njëjtët individë për të diskutuar mbi gjeopolitikën, ekonominë, çështjet sociale dhe çdo gjë tjetër. Ky format ofron informacion të shpejtë e bazik për një audiencë të gjerë, ndërsa kostoja e prodhimit për mediat mbetet e ulët.
Mekanizmi i dytë është ndërveprimi mes televizorit dhe smartfonit. Formateve tradicionale në ekranin e madh ju shtohet moria e platformave digjitale. Fragmentet e debateve apo emisioneve shkëputen dhe kthehen në klipe të shkurtra apo shorts, të optimizuara për një vëmendje të shkurtër sidomos në ato pjesë ku ka debate dhe sherr. Ekrani vertikal nga ana a tij nxit një reagim impulsiv dhe të momentit, duke e kufizuar kohën dhe hapësirën për një analizë të thelluar e kritike.
Kostoja reale e kësaj zhurme me pesë cepa duket të jetë zhurmimi i diskutimit të tranzicionit drejt një ekonomie me vlerë të shtuar të lartë. Ndërkohë që miliona orë në ditë shpenzohen në debate dhe formate argëtuese, vëmendja publike mbetet më së shumti te një model ekonomik që po arrin me shpejtësi limitet e tij, turizmi dhe ndërtimet.
Pavarësisht rritjes në shifra, ndërtimi dhe turizmi kanë hyrë në fazën e pakësimit të kthimeve të fitimit (diminishing returns). Çmimet e banesave janë rritur e madje dyfishuar, por një pjesë e madhe e kapitalit tashmë është e bllokuar në asete jo-aktive, duke prodhuar “kapital të vdekur”. Turizmi, pavarësisht volumit të vizitorëve, po nxjerr në pah sfidat infrastrukturore dhe ofron një vlerë të shtuar të kufizuar për shqiptarin e zakonshëm.
Potenciali i ri ndodhet në ekonominë e post-naftës. Në nëntokën tonë “flenë” ende shumë minerale kritike. Resurse tashmë të rivlerësuara strategjikisht nga BE, presin inxhinierë e politika të reja dhe jo analistë panelesh. Në epokën e re industriale, këto elementë janë baza e elektrifikimit dhe teknologjisë së avancuar.
Në mbitokë, prodhimi i ushqimit dhe bujqësia mbeten ende të pazhvilluara plotësisht. Duhet rritur siguria ushqimore për të patur një baze të qëndrueshme të vetë mjaftueshmërisë si dhe duhen rritur standardet e prodhimit drejt atyre europiane. Pa importet masive aktuale te ushqimeve vendi mund të përballet me kriza ushqimi e sociale nqs ato për një arsye apo tjetër ndërpriten apo shtrenjtohen shumë.
Këto pasuri minerale ende të pashfrytëzuara plotësisht, e të lidhura domosdoshmërisht me përpunimin sa me të plotë te tyre, dhe nevojat për ushqim e siguri, aq më tepër sepse janë tashmë dhe prioritete strategjike europiane, kërkojnë një vëmendje të re, e maksimale. Ato presin që edhe fokusi publik të zhvendoset nga fluksi i pandërprerë mediatik i “dramës së sezonit apo debatit të momentit” drejt ekonomisë, inxhinierisë, agronomisë, dhe inteligjencës artificiale (AI), për të krijuar një model të ri e të qëndrueshëm, zhvillimi industrial, teknologjik, bujqësor e social që nuk varet nga zhurmat./monitor.al
