Last Updated on 21/04/2026 by Anisa
Gjatë një konference të zhvilluar me operatorët për çështjet e sigurisë ushqimore, Drejtoresha e Agjencia Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylahmeti, u ndal te disa nga sfidat kryesore që lidhen për çështjen e sigurisë ushqimore.
Për reformën te siguria ushqimore Blerina Gjylameti tha se Kapitulli 12 na vendos përballë disa sfidave konkrete.
“Sfida e parë është rritja e standardeve të stabilimenteve ushqimore. Çdo subjekt që nuk arrin të përmbushë kërkesat e Bashkimit Europian, rrezikon të mbetet jashtë tregut në momentin e anëtarësimit”, pohoi ajo.
“Për këtë arsye, qasja jonë është e balancuar dhe e përgjegjshme: mbështetje financiare e targetuar, afate të qarta për përmirësim, dhe bashkëpunim i ngushtë me biznesin. Qëllimi është i qartë: ky tranzicion të mos jetë barrë, por mundësi zhvillimi”, theksoi ndër të tjera Gjylameti.
Gjylameti, u ndal te disa nga sfidat kryesore që lidhen me sektorin e qumështit dhe funksionimin e thertoreve sipas standardeve europiane.
“Një tjetër element kritik është menaxhimi i nënprodukteve me origjinë shtazore dhe funksionimi i thertoreve sipas standardeve europiane.
Në këtë drejtim: po konsolidojmë kuadrin ligjor, po vendosim klasifikim të qartë sipas riskut, dhe po mbështesim investimet në infrastrukturë të dedikuar.
Kjo garanton gjurmueshmëri të plotë dhe eliminon çdo rrezik për kontaminim. Sektori i qumështit mbetet një nga sfidat më komplekse, për shkak të fragmentimit të fermave.
Për këtë arsye, deri në fund të vitit 2026 do të zbatojmë një strategji të dedikuar që synon: rritjen graduale të cilësisë, mbështetjen e fermerëve dhe përpunuesve, dhe përmirësimin e zinxhirit të grumbullimit dhe transportit. Një qasje realiste, por e vendosur drejt standardit europian. Në të njëjtën kohë, një shtyllë themelore e reformës është forcimi i kapaciteteve infrastrukturore dhe laboratorike.
Përmes projektit CRAD të Bankës Botërore: po rindërtohen 4 laboratorë, po pajisen 3 të tjerë me teknologji bashkëkohore, dhe po investohet në pikat e inspektimit kufitar.
Kjo do të rrisë ndjeshëm: saktësinë e analizave, shpejtësinë e kontrolleve, dhe besueshmërinë e sistemit”.
Sipas saj Hartimi i Planit Kombëtar për Përmirësimin e Standardeve do të jetë udhërrëfyesi kryesor për këtë transformim.
“Ky plan: përcakton prioritetet sipas sektorëve, orienton investimet, vendos afate të matshme, dhe siguron një tranzicion të strukturuar drejt standardeve të BE-së”, përfundoi ajo.
