Fitorja e Selin në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania” është përjetuar me emocione të forta edhe nga familja e saj. Babai i saj, Toni Bollati, ka ndarë përjetimet pas finales për herë të parë, duke e cilësuar këtë rrugëtim si të lodhshëm, por njëkohësisht shumë të bukur.
Në një intervistë për “Shqipëria Live”, ai tregoi se periudha gjatë së cilës Selin ishte pjesë e shtëpisë ka qenë e vështirë për të. “Periudha që kemi kaluar ka qenë e lodhshme, shumë stresuese. Edhe largësia ime më ka bërë të ndihem më shumë faj që nuk isha pranë familjes,” u shpreh ai.
Duke folur për natën finale, ai theksoi se emocionet kanë qenë në kulm dhe se e ka ndjekur çdo moment me shumë ankth. “Mbrëmja e 18 shkurtit ka qenë një nga netët më të vështira, me plot emocione. E kam pritur me shumë ankth fillimin e spektaklit,” tha ai, duke shtuar se kishte zgjedhur ta shihte spektaklin i vetëm për të përjetuar çdo detaj.
Pas përfundimit të finales, ai arriti të flasë shkurtimisht me të bijën. “Kam komunikuar shumë pak me Selin, por ajo ishte e lumtur dhe mirënjohëse. Mu duk pak e lodhur, por është normale pas gjithë kësaj eksperience,” tregoi Bollati.
Në finalen e madhe, Selin u shpall fituese përballë tre finalistëve të tjerë: Miri u rendit i dyti, Mateo në vendin e tretë, ndërsa Rogerti ishte i pari që u eliminua nga gara finale.
Megjithatë, ai nuk harroi të shprehë vlerësim edhe për konkurrentët e tjerë, duke e krahasuar garën me një kampionat. “Çdo gjë kaloi dhe Selin kaloi në finale me sukses, me triumf. Ndjeva keqardhje edhe për konkurrentët e tjerë. Është si një kampionat që dikush e fiton kupën dhe kupa shkoi për mbretëreshën time.” përfundoi ai./mxh
