Numri i miliarderëve në botë pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, duke arritur pothuajse në 4 mijë deri në vitin 2031, sipas të dhënave të reja të publikuara nga kompania e pasurive të paluajtshme Knight Frank.
Aktualisht në botë numërohen rreth 3 mijë e 110 miliarderë, por kjo shifër parashikohet të rritet me rreth 25% gjatë pesë viteve të ardhshme, duke arritur në rreth 3 mijë e 915 persona me pasuri mbi një miliard dollarë.
Sipas raportit, jo vetëm miliarderët, por edhe grupi i individëve me pasuri të larta po zgjerohet me shpejtësi. Numri i njerëzve me pasuri mbi 30 milionë dollarë është rritur nga 162 mijë e 191 në vitin 2021 në mbi 713 mijë sot, një rritje mbi 300%.
Shefi i kërkimeve në Knight Frank, Liam Bailey, deklaron se pasuria e miliarderëve dhe milionerëve është e “super-ushqyer” nga fitimet e sektorit të teknologjisë, veçanërisht nga inteligjenca artificiale. Sipas tij, aftësia për të shkallëzuar bizneset në nivel global nuk ka qenë kurrë më e madhe, duke krijuar pasuri të mëdha në një kohë shumë të shkurtër.
Raporti parashikon që rritja më e madhe e miliarderëve do të ndodhë në Arabinë Saudite, ku numri i tyre mund të dyfishohet nga 23 në 65 deri në vitin 2031. Rritje të forta priten edhe në Poloni dhe Suedi.
Ndërkohë, theksohet se pabarazia globale e pasurisë po thellohet. Sipas raportit të “World Inequality”, më pak se 60 mijë njerëz në botë kontrollojnë një pasuri që është tre herë më e madhe se ajo e gjysmës së popullsisë së botës së bashku.
Organizata si Oxfam kanë bërë thirrje për taksimin më të lartë të super të pasurve, duke argumentuar se pasuria ekstreme po shoqërohet gjithashtu me rritje të ndikimit politik të tyre.
Lista e Forbes tregon se Elon Musk mbetet personi më i pasur në botë, i ndjekur nga Larry Page dhe Jeff Bezos. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar rënia më e madhe e numrit të miliarderëve në dekada, duke reflektuar ndryshimet në politikat fiskale dhe largimin e disa prej tyre nga vendi.
Ekspertët theksojnë se paqëndrueshmëria politike, reformat tatimore dhe rregulloret më të ashpra po i shtyjnë të pasurit drejt qyteteve dhe vendeve që ofrojnë më shumë stabilitet dhe siguri për investime./mxh
