Dinamo është finalistja e dytë e Kupës së Shqipërisë për edicionin futbollistik 2025/2026, duke kompletuar kështu çiftin final të këtij kompeticioni.
Skuadra dinamovite siguroi kualifikimin pas fitores minimale 0-1 në transfertë ndaj Vllaznisë, në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e kësaj të enjteje në stadiumin “Loro Boriçi”. Golin vendimtar e realizoi Dejvi Bregu në minutën e 77-të, duke i dhënë avantazhin dhe biletën për në finale ekipit të tij.
Takimi i parë mes dy skuadrave ishte mbyllur në barazim 1-1, ndërsa suksesi në ndeshjen e kthimit i mundëson ekipit të drejtuar nga Ilir Daja të avancojë në aktin final të kompeticionit.
Finalja e Kupës së Shqipërisë ndërmjet Egnatias dhe Dinamos do të luhet më 13 maj, në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00./mxh
