Last Updated on 23/04/2026 by EL
Në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) shfaqi për herë të parë dorëshkrimet e disa personaliteteve të shquara të kombit në një ekspozitë me dokumente origjinale.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në hapësirën tonë kulturore “Auditor”, ishin të pranishëm Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Arkivave, Znj. Marinela Ndria, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), Znj. Arta Marku, kritiku letrar, Agim Baçi, shkrimtari Albatros Rexhaj, përfaqësuesja e Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë, Ambra Alimeti, nxënës të shumtë të gjimnazit “Qemal Stafa” dhe të shkollës 12-vjeçare “Tomorrow’s Education System” (TES).
Në përputhje me simbolikën e 23 prillit, DPA-ja mbajti një panel diskutimi, ku kryefjalë ishte leximi, sfidat e industrisë së botimit dhe lidhja simbiotike e letërsisë me arkivat. Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. Ndria theksoi rolin e rëndësishëm të arkivave në ruajtjen e trashëgimisë dokumentare, të librave dhe të ditarëve. “Jam e lumtur dhe e nderuar për pjesëmarrjen në këtë panel dhe që shoh kaq të rinj të pranishëm. DPA ka një bibliotekë të pasur dhe ne krenohemi për ruajtjen e trashëgimisë e të librave më të vjetër, të Kodikëve. Arkivat kanë patur nisma të shumta për t’i afruar shkollat me thesaret qe ruajmë. Për këtë qëllim, prezantojmë ekspozita të ndryshme, si kjo e sotmja. Siç e shohim në këtë ekspozitë me dorëshkrime, autorët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë korrigjime kohë pas kohe. Si restauratore, jam hasur me një dorëshkrim dhe kam mundur të njihem më në hollësi me autorin, nëpërmjet dinamikës së tij krijuese”, tha zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e DPA-së.
Në fjalën e marrë, drejtuesja e QKLL-së u shpreh se përmes ruajtjes së dorëshkrimeve, bëhet e mundur njohja me rrugëtimin e një vepre deri në ditën e botimit. “Arkivat janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe kanë një përmasë misterioze. Ditarët do t’i quaja një ‘pozë’ para pasqyrës. Nuk jemi plotësisht të vërtetë, as kur flasim me veten. Por, ditarët më pëlqejnë sepse më lejojnë të njoh personazhet. Do marr shembullin e ditarit të Musine Kokalarit, shkruar gjatë kohës që ishte studente në Itali. Në dorëshkrimin e parë, ajo rrëfen marrëdhënien dashurore me një italian, ndërsa në dorëshkrimin e dytë, pas përfundimit të lidhjes mes tyre, ky pasazh ishte fshirë. Këto ndryshime gjatë procesit krijues janë shumë domethënëse. Sigurisht, ditarët e rëndësishëm përcaktohen nga veprimtaria e autorit, edhe pse nuk mund të flasim për një vlerë absolute”, tha Znj. Marku.
Më tej, në fjalën e tij të rastit, Z. Baçi foli për dallimin e ditarit nga gjinitë e tjera letrare. “Të gjithë librat fillojnë me fjalën ‘lexo’. Për të kuptuar veten, të tjerët dhe botën. Unë kam udhëtuar përmes librave. Fjala vjen, Shekspiri nuk ka qenë në Danimarkë, por ka shkruar ‘Hamletin’. Ndërsa, ditarët janë një mënyrë për të gjetur sesi përmes imagjinatës, fjalës dhe shpirtërores, njeriu ka mundur të evidentojë sesi të mbijetojë. Ditarët për mua janë një skaner i gjërave të pathëna dhe nxjerrin në pah mënyrën sesi njeriu ka gjetur shtigje për të besuar tek e vërteta dhe tek e mira”, tha novelisti dhe kritiku letrar.
“Aktualisht nuk jemi në kohën që favorizon letrën, por jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe të filmit. Librat shkruhen enkas për t’u bërë serialë. Por, ditarët na mësojnë se vetëm me kalimin e kohës mësohet mjeshtria e fjalës. Duke i ruajtur ditarët, kupton sesa ka evoluar autori dhe koha, nga shkrimi tek ditët tona”, përmbylli Z. Rexhaj.
Mes dokumenteve origjinale që u paraqiten në ekspozitën e përgatitur me fondet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), bënin pjesë dorëshkrimet e disa prej figurave më të spikatuara në fushën e letrave, të kulturës dhe të politikës shqiptare, sikurse:
Vepra origjinale e Andon Zako Çajupit, “Baba Musa lakuriq”;
Kujtimet e Parashqevi Qiriazit mbi Kongresin e Manastirit (1908);
“Ditar për problemet politike gjatë periudhës 16 shtator 1916-10 maj 1918” i Mid’hat Frashërit;
“Ditar dhe shënime për vitet 1917-1956” të klerikut Justin Rrota;
Letra të Nikollë Ivanajt për jetën në bjeshkë;
Dorëshkrime të ndryshme të përmbledhura në vëllimin “Jeta e nënës plakë, jeta e gruas gjirokastrite” nga Musine Kokalari.
Ky aktivitet i zhvilluar në hapësirën kulturore të DPA-së, që ka njëkohësisht funksionin e një salle eventesh, trajnimesh dhe kinemaje vjen në vazhdën e angazhimit institucional për të promovuar veprimtarinë e arkivave dhe për të njohur publikun me mënyrat e hulumtimit, si edhe dobinë e konsultimit të fondeve arkivore.
