Last Updated on 24/04/2026 by Kesjana
Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike përkujton se në ngushticën e Hormuzit “nuk kalojnë vetëm nafta dhe gazi”.
Kjo media thotë se “nëse për ndonjë arsye, qoftë për fatkeqësi natyrore, ankorim anijesh, aksidente detare ose veprime të qëllimshme, disa kabuj kryesorë në ngushticën e Hormuzit do të priteshin në të njëjtën kohë, një katastrofë digjitale do të përfshinte shtetet arabe të Gjirit, me ndërprerje të rënda ose shërbime të dëmtuara të internetit të tyre”. Sipas saj, sigurisht, do të ndikohej edhe Irani, por është shumë më pak i cenueshëm sepse ka më pak varësi nga kabujt e vendosur në fundin e detit.
Strategjia e Iranit dhe pasojat ekonomike
Irani duket se po përdor kabujt nënujore si një mjet i mundshëm i presionit strategjik kundër kundërshtarëve të tij, SHBA-të dhe Izraeli.
Sipas analistëve, këto kabuj janë shumë të brishtë dhe të mbrojtur dobët, dhe në ngushticën e Hormuzit janë më të rrezikuar se kudo tjetër në botë. Nëse Irani përdor këtë terren si një fushë beteje, pasojat mund të jenë shkatërruese, veçanërisht për rrjetin e internetit në vendet e Gjirit, të cilat janë duke investuar miliarda në zhvillimin e shërbimeve digjitale dhe qendrave të të dhënave.
Katastrofa digjitale dhe pasojat globale
Kabujt që kalojnë në ngushticën e Hormuzit mbajnë mbi 15% të trafikut global të të dhënave, dhe janë jetike për Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahreinin, Kuvajtin, Arabinë Saudite, Irakun dhe shumë shtete të tjera të Gjirit.
Dëmtimi i këtyre kabujve do të kishte pasoja shumë të rënda ekonomike, përfshirë ndërprerjen e miliona transaksioneve bankare dhe të tregjeve financiare çdo ditë. Qendrat e të dhënave dhe qendrat financiare në Dubai dhe Emirate do të vuajnë rëndë, ndërsa do të prekeshin edhe shërbimet e mëdha të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale në rajon.
Vështirësitë për riparimin e kabujve
Riparimi i kabujve në fund të detit të Hormuzit do të ishte një detyrë shumë e rrezikshme dhe e ngadaltë, për shkak të minave dhe kushteve të pasigurta në këtë korridor detar. Kjo do të bënte që ndihma të ishte shumë e vështirë dhe mund të vonohej për një kohë të gjatë.
Një lajm i mirë
Megjithatë, ndërprerja e internetit në nivel global është shumë e pamundur, pasi rrjeti është projektuar për të shmangur situata të tilla./kb
