Ish-presidenti pestë i Republikës, ish-kryeministri i parë i Kosovës së pavarur dhe një nga komandantët më të spikatur të Ushtrisë Çlirimtare që i solli lirinë vendit, Hashim Thaçi feston këtë 24 Prill, ditëlindjen e 58-të.
Ky është viti i gjashtë që ai e kalon ditën e lindjes i izoluar në muret e Hagës, bashkë me shokët e tij të luftës.
Afër gjashtë vite paraburgim në Hagë kanë shënuar një nga proceset më të gjata dhe më të ndjeshme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Gjykimi tashmë ka përfunduar dhe vendi po e pret vendimin e trupit gjykues, mbështetur vetëm në fakte.
Fondacioni “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”, drejtuar nga familja, ka ndarë një mesazh urimi dhe thotë se kjo pranverë e gjashtë në izolim duhet të jetë e fundit për Hashimin; duhet të jetë pranvera e drejtësisë.
“Kosova e pret kthimin e tij. Familja e pret. E presin edhe bashkëpunëtorët dhe qytetarët që e vlerësojnë kontributin e tij në luftën për liri, përkushtimin për paqe, shpalljen e pavarësisë dhe shtetndërtimin e Kosovës si shtëpi të përbashkët për të gjithë”, thuhet në mesazh.
Kujtojmë se Hashim Thaçi prej vjeshtës së vitit 2020 është në paraburgimin e Hagës pasi akuzohet për krime lufte nga Gjykata Speciale. Për të janë ngritur akuza për krime kundër njerëzimit, përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Hashim Thaçi, i lindur më 24 prill 1968, ka qenë presidenti i pestë i Republikës së Kosovës. Ai ka shërbyer si kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.
