Sa më shumë afrohet Botërori 2026, aq më shumë rritet gara për të siguruar një vend në stadium, sidomos për finalen e madhe që do të luhet më 19 korrik në “MetLife Stadium”. Por ajo që po habit është shpërthimi i çmimeve në tregun e biletave, ku disa prej tyre kanë arritur shifra marramendëse.
Në platformën zyrtare të FIFA-s, ku lejohet rishitja e biletave, nuk ka një kufi të vendosur për çmimet. Kjo ka hapur rrugën për oferta ekstreme, sidomos në SHBA dhe Kanada, ku një biletë për finalen raportohet se mund të shkojë deri në 2 milionë euro, ndonëse çmimi fillestar ka qenë rreth 10 mijë euro.
Ndryshe paraqitet situata në Meksikë, ku autoritetet kanë ndaluar rishitjen e biletave me çmime më të larta se ato origjinale, si një masë për të frenuar abuzimet dhe tregun e zi.
Ndërkohë, FIFA përfiton ndjeshëm nga kjo situatë. Organizata mban një komision që arrin deri në 30% për çdo transaksion të kryer në platformën e saj zyrtare. Kjo do të thotë se nga një biletë e shitur për 2 milionë euro, një pjesë e konsiderueshme – rreth 600 mijë euro – përfundon si të ardhur për FIFA-n./mxh
