Qeveria ka miratuar së fundmi vendimin për indeksimin e bazës së vlerësuar të vitit 2024, duke caktuar një koeficient prej 6.4% për llogaritjen e pensioneve te ardhshme.
Ky mekanizëm ligjor shërben për të përditësuar vlerën e pagave mbi të cilat qytetarët kanë paguar kontribute ndër vite, duke siguruar që masa fillestare e pensionit të jetë në përputhje me standardet ekonomike aktuale.
Ky indeksim i ri do të aplikohet mbi bazën e vlerësuar individuale vjetore të arritur deri në vitin 2024 dhe do të shërbejë si referencë direkte për të gjitha ato pensione që do të lindin si e drejtë duke filluar nga data 1 janar e vitit 2026.
Zbatimi i këtij koeficienti rregullon formulën e llogaritjes për të gjithë periudhën kontributive që nis nga viti 1994, duke përfshirë edhe pagat referuese sipas profesioneve të përcaktuara më parë nga ekzekutivi. Përmes këtij procesi, pagat e prapambetura rivlerësohen me koeficientët akumulativë të pasqyruar në shtojcat e vendimit, me qëllim që kontributet e paguara dekada më parë të mos humbasin vlerën e tyre përballë inflacionit dhe rritjes së pagës mesatare në vend.
Sa i përket kufizimeve teknike, vendimi qartëson se edhe pas aplikimit të indeksit prej 6.4%, baza e vlerësuar nuk do të jetë e pakufizuar.
Për pagat që i përkasin periudhës midis vitit 1994 dhe fundit të vitit 2001, kjo bazë nuk mund të tejkalojë trefishin e pagës minimale në shkallë vendi. Ndërkohë, për kontributet e derdhura nga viti 2002 e në vazhdim, tavanit i referohet paga maksimale në shkallë vendi, ashtu siç parashikohet në ligjin për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
Qeveria ka specifikuar se efektet financiare të këtij vendimi do të mbulohen tërësisht nga buxheti vjetor i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ky i fundit është institucioni përgjegjës për zbatimin e skemës dhe garantimin e llogaritjeve të reja për çdo përfitues që plotëson kushtet e pensionimit nga viti 2026./ Marrë nga Monitor.al/kb
