Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë këtë të shtunë, më 25 prill, në konferencën “Fuqizimi i rolit të grave në demokracinë lokale”, i organizuar nga PD dhe fondacioni suedez, ‘Jarl Hjalmarson’.
Gjatë fjalës së tij, Berisha falënderoi organizatorët dhe përfaqësuesit e fondacionit suedez për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndaj Partisë Demokratike ndër vite, si dhe vlerësoi kontributin e partnerëve ndërkombëtarë të pranishëm në aktivitet.
Ai u ndal veçanërisht te roli i grave në shoqëri dhe politikë, duke u shprehur se “gjeneza e shpresës është gruaja” dhe duke i ftuar vajzat dhe gratë të bëhen, siç tha ai, “gjenerator shprese për PD-në”.
Në fjalimin e tij, Berisha foli edhe për situatën politike në vend, duke e cilësuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama si një “regjim autokratik”, ku sipas tij janë kufizuar hapësirat e lirisë për qytetarët dhe opozitën.
“Një temë jashtëzakonisht e rëndësishme në çdo kohë, por në kohërat më të vështira kjo merr dhe rëndësi më të madhe. Ne jetojmë, të dashur miq, në një diktaturë autokratike.
Një regjim në të cilin, hapësirat e lirisë janë të ngushtuara në tërësi për qytetarët, por janë dhe shumë më të ngushtuara për opozitën. Ne jetojmë në një regjim i cili nga mëngjesi gjer në darkë ka në axhendën e tij luftën aprincipiale, luftën e egër kundër opozitës dhe drejtuesve dhe eksponentëve të saj. Ju jeni dëshmitarë se si Albana Vokshi, pse ka mbrojtur parimet që ne besojmë, ka mbrojtur ju, vlerat, është agresuar në mënyrën më të egër, targetuar edhe familjarisht, nga banditët e kësaj qeverie, jo vetëm banditët në terren, por banditët në parlament, sepse kushtet tona këto janë. Ai që agresoi Albanën në parlament dhe që quhet Taulant Balla, ai është një porositës vrasjesh me dokumenta zyrtare.”, tha Berisha.
Më tej, lideri demokrat ngriti akuza të forta ndaj qeverisë për lidhje me kartelet e drogës dhe ndikim të krimit të organizuar në ekonomi.
“Bosët më të mëdhenj të karteleve më të mëdha të drogës në botë si ata të Sinaloas, e kanë derën hapur në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë sepse ata lajnë paratë e tyre me preferencë në këto kullat e famshme dhe resortet turistike. Mbrëmë folëm këtu për Dubai City e 1001 netëve të Edi Ramës në Durrës I merr portin vendit dhe ndërton me kartelet e drogës me Franc Çopjan dhe të tjerë një qytet që e morët vesh ka filluar të fundoset që në fillimet e veta.
Ndërtimet kanë filluar të fundosen sepse janë të gjitha para droge dhe nuk ndjekin asnjë plan dhe asnjë kriter. Në këtë kuadër u ndala për të përshkruar këtë situatë sepse kjo pasqyron shumë, më shumë se kudo tjetër ne jetën e grave, vajzave dhe nënave. Kjo ka krijuar në Shqipëri një dëshpërim në të cilën shqiptarët largohen sot më shumë se çdo komb tjetër nga vendi i tyre. Vetëm në 10 vite, nga 2014-2023 vetëm në hapësirën e Shengenit janë larguar 1 milionë e 100 mijë shqiptarë. Sigurisht këtu ka një asimetri, janë larguar më shumë burra. Dhe në këtë kuadër Shqipëria sot ka numrin më të madh të kryefamiljareve reale në Evropë dhe më gjerë. As vendet në luftë nuk kanë një fenomen të tillë të imponuar nga largimi masiv i qytetarëve nga Shqipëria.”, u shpreh ai./kb
