Last Updated on 25/04/2026 by Anisa
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar gjatë bashkëbisedimit me qytetarët mbi pretendimet për një marrëveshje mes tij dhe kryesocialistit Edi Rama.
Ishte një qytetar që pyeti Berishën e më pas ai tha se “Edi Rama nuk e mposht Sali Berishën”.
“Pse propogandohet që ti je bashkë me Ramën në një marrëveshje? Çfarë mund të bësh për këtë propagandë, ku besoj se e dinë mirë që një popull i painformuar zhytet në lajme të rreme? Të lutem lexoje”, pyeti qytetari Berishën.
“Tani, çfarë është thelbi i kësaj propagande? Në aspekt është një logjikë primitive, sipas të cilës, domethënë, Edi Rama, Edi Rama arrestoi Sali Berishën, po nuk e ka arrestuar. Sipas të cilës, Edi Rama, ndonëse loboi me të gjitha paratë e tij për sanksionimin e Sali Berishës, por nuk e ka bërë këtë. Çfarë ndodh? Pse kjo propagandë? Duan të përmirësojnë figurën e nxirë të Edi Ramës. Duan të krahasojnë të pakrahasueshmet. Një, është e vërtetë kjo, po unë ka kohë që kam, ju kam thënë shqiptarëve se mafia më e rrezikshme në Shqipëri, më e rrezikshme se ajo e kokainës, është mafia e fjalës së lirë. Dhe këtë mafie e ka në dorë Edi Rama.
Tani që Edi Rama është damkosur publikisht para shqiptarëve dhe botës, tani thonë që edhe Berisha është një lloj si Rama. Në një kohë kur nuk japin dot një argument, një fakt të vetëm, që mund të krahasohen këta dy persona. Një fakt të vetëm. Një, të vetëm. Në asgjë dhe në asnjë fakt. I vetmi fakt është se Edi Rama nuk e mposht dot Sali Berishën. U përpoq me të gjitha mënyrat, ta arkivonte politikisht, u përpoq me atentate fizike, u përpoq me çdo mënyrë, dështoi dhe do të dështojë. Dhe ata të cilët bëjnë këtë, këtë, këtë krahasim, duan të mirësojnë sadopak figurën e nxirë të Edi Ramës. Unë ju pyes ju, më thoni ju mua, qoftë dhe një fakt ku mund të krahasohemi“, iu përgjigj Berisha.
