Këngëtarja Filloreta Raçi, e njohur si Fifi, ka folur së fundmi me shumë sinqeritet për përjetimet e saj gjatë shtatzënisë, në një intervistë për podcastin “Mam” të moderatores Orinda Huta. Deklaratat e saj kanë marrë vëmendje të gjerë në rrjet, për shkak të mënyrës së drejtpërdrejtë se si ajo rrëfeu emocionet e momentit kur mësoi gjininë e fëmijës.
Artistja tregoi se kishte dëshiruar shumë një vajzë dhe se lajmi për gjininë e bebit e kishte prekur thellë emocionalisht, duke e surprizuar në një moment udhëtimi mes Bostonit dhe New York-ut.
“Kam qenë duke fluturuar prej Boston në New York dhe më erdhi njoftimi, ma dërgoi gjinekologia dhe i thashë ‘të lutem mos më trego që është çun’. Ajo më tha ‘Zemra është çun’. Kam qarë 40 minuta në aeroport, e doja gocë”, u shpreh Fifi.
Ajo theksoi se reagimi i saj ka qenë i menjëhershëm dhe i sinqertë, duke pranuar se në atë periudhë e kishte imagjinuar ndryshe ardhjen e fëmijës. Megjithatë, këngëtarja shtoi se gjithçka ndryshoi më pas me lindjen dhe përjetimin real të mëmësisë, duke e parë këtë eksperiencë si një transformim emocional të madh.
Fifi është nënë e një djali, Theo Mal, të cilin e ka me partnerin e saj, sipërmarrësin Adis Patushi. Ky i fundit ka gjithashtu një djalë më të madh, Troi, nga lidhja e tij e mëparshme me modelen Adrola Dushi./mxh
