Në botën e marrëdhënieve moderne, termat për sjellje toksike janë shtuar ndjeshëm: breadcrumbing, ghosting, submarining… lista vazhdon. Por një tjetër term që po fiton vëmendje është “hoovering”, një sjellje që në fakt ekziston prej kohësh, por tani po identifikohet më qartë si një formë manipulimi emocional.
Hoovering zakonisht ndodh kur një partner (aktual ose ish) kupton se tjetri po përpiqet të largohet përfundimisht nga marrëdhënia. Në vend që ta pranojë këtë, ai përpiqet ta “tërheqë” sërish në të njëjtin cikël, duke përdorur mënyra jo gjithmonë të drejtpërdrejta. Termi vjen nga ideja e një fshese me korrent: personi tjetër “thithet” sërish në një situatë të vjetër dhe shpesh toksike.
Kjo sjellje mund të shfaqet papritur, si gjatë marrëdhënies, ashtu edhe pas përfundimit të saj. Një telefonatë e papritur, një mesazh emocional apo një “takim rastësor” janë disa nga format më të zakonshme. Bisedat zakonisht fokusohen te mungesa, pendesa dhe ideja se jeta e personit tjetër është përkeqësuar pa ju. Në disa raste, situata shkon më tej, me krijimin e krizave artificiale për të tërhequr vëmendjen tuaj.
Shembujt janë të njohur: kërcënime, lutje të dëshpëruara apo deklarata që synojnë të zgjojnë fajin. Fraza si “Nëse nuk vjen të të takoj, nuk e di çfarë do bëj ” apo “Të lutem më jep edhe një shans” nuk janë domosdoshmërisht shprehje dashurie, por shpesh mjete manipulimi. Në të njëjtën kohë, personi mund të përpiqet të hyjë në jetën tuaj përmes miqve të përbashkët, familjes apo edhe përmes kujtimeve të bukura që ju lidhin.
Hapi i parë është të kuptoni se kjo është një sjellje toksike dhe potencialisht e rrezikshme. Qëllimi nuk është rikthimi i një marrëdhënieje të shëndetshme, por kontrolli. Shmangia e përgjigjeve ndaj mesazheve apo telefonatave është shpesh mënyra më e mirë për të vendosur kufij të qartë. Nëse shqetësoheni për mirëqenien e personit tjetër, është më e arsyeshme të kontaktoni një të afërm të tij ose autoritetet, sesa të përfshiheni vetë emocionalisht.
Vendosja e kufijve nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos kur përfshihen ndjenja dhe kujtime. Por është një hap thelbësor për të mos rënë sërish në të njëjtin cikël. Nëse e ndjeni të vështirë, mbështetja e një profesionisti mund t’ju ndihmojë të qëndroni të vendosur dhe të mbroni veten./mxh
