Autori i të shtënave me armë zjarri në darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë kishte në shënjestër presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe anëtarët e administratës së tij.
Kështu ka deklaruar, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche. Ky i fundit u shpreh në një intervistë për NBC, se i akuzuari udhëtoi nëpër vend, duke marrë tren nga Kalifornia në Çikago dhe më pas në Washington, përpara se të regjistrohej në hotelin ku do të zhvillohej eventi.
“Me sa duket, ai në fakt kishte për qëllim të shënjestronte njerëzit që punojnë në administratë, me shumë mundësi përfshirë edhe presidentin. I dyshuari besohet se i ka blerë armët e zjarrit që mbante me vete brenda dy viteve të fundit”, tha Blanche.
Personi u përpoq të hynte me forcë në sallën e vallëzimit në Washington Hilton, por u ndalua, duke shkaktuar një skenë kaotike në të cilën pati dhe të shtëna. Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump u nxorën me nxitim nga skena dhe të ftuarit gjithashtu u evakuuan.
Autoritetet po analizojnë mesazhet së bashku me të dhënat nga pajisjet dhe shkrimet e të dyshuarit për të gjetur të dhëna rreth motivit apo shkaqeve të sulmit. Sipas Prokurorit Blanche, autori nuk po bashkëpunon në mënyrë aktive me hetimin./Mxh
