Një studim i fundit i kryer nga studiues në Shtetet e Bashkuara sugjeron se edhe nivelet e ulëta të konsumit të alkoolit mund të kenë pasoja të dëmshme për trurin. Sipas gjetjeve, personat që pinë alkool, edhe në sasi të moderuara, mund të përjetojnë ulje të rrjedhjes së gjakut në tru dhe hollim të korteksit cerebral , zona përgjegjëse për funksionet e avancuara mendore si të menduarit dhe vendimmarrja.
Studiuesit analizuan të dhënat e 45 të rriturve të shëndetshëm, të moshave nga 22 deri në 70 vjeç, të cilët nuk kishin histori të abuzimit me alkoolin. Pjesëmarrësit raportuan zakonet e tyre të konsumit gjatë vitit të fundit, tre viteve të fundit dhe përgjatë jetës. Mesatarisht, ata konsumonin rreth 21 pije në muaj, ndërsa niveli maksimal arrinte deri në 54 pije mujore.
Këto të dhëna u krahasuan me skanime MRI të trurit, të cilat matën trashësinë e korteksit dhe perfuzionin e gjakut në tru. Rezultatet treguan një lidhje të dukshme midis konsumit të alkoolit dhe uljes së këtyre treguesve, veçanërisht me perfuzionin – një faktor kyç për furnizimin e trurit me oksigjen dhe lëndë ushqyese.
Sipas studiuesve, efektet e alkoolit mund të jenë kumulative, duke u përkeqësuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e moshës. Ata sugjerojnë se stresi oksidativ, një proces biologjik që dëmton qelizat, mund të jetë një nga mekanizmat kryesorë që lidh alkoolin me dëmtimin e trurit.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi nuk provon një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, pasi bazohet në të dhëna të mbledhura në një moment të vetëm kohor dhe në raportime vetjake të pjesëmarrësve. Faktorë të tjerë si dieta dhe aktiviteti fizik nuk u morën parasysh.
Pavarësisht kufizimeve, gjetjet përforcojnë një prirje në rritje në kërkimet shkencore që vënë në pikëpyetje idenë e një niveli “të sigurt” të konsumit të alkoolit. Udhëzimet më të fundit dietike në SHBA tashmë rekomandojnë reduktimin e përgjithshëm të konsumit të alkoolit, pa përcaktuar një kufi të saktë ditor.
Studiuesit bëjnë thirrje për kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë efektet afatgjata të konsumit të moderuar të alkoolit në tru./kb
