Avenir Peka, ekspert i çështjeve ndërkombëtare ka folur në “Review” mbi atentatin e bërë ndaj Presidentit Donald Trump gjatë një konference me gazetarët dhe me praninë e zyrtarëve të administratës.
Ai thekson se SHBA-të kanë një histori të gjatë përballjeje me dhunën politike dhe rasti i Trump, sipas tij, është i paprecedentë.
Peka nënvizon se përplasjet e forta në SHBA krijojnë dyshime dhe hapësirë për interpretime, por sipas tij, fakt është që ndaj presidentit është përdorur dhunë politike, juridike dhe fizike.
“SHBA-të janë shtet që kanë luftuar me dhunën politike, është debat i madh për armët.
Rasti i Presidentit Trump është i paprecedentë. Rasti i fundit i një atentati real ka qenë me Reagan në vitet ‘81 në hollin e hotelit që kanë gjuajtur nga afër dhe ai është plagosur.
Në rastin e Trump, mënyra se si kanë ndodhur shumë ngjarje, përplasja e fortë politike, retorika e fortë e dyanshme, lufta politike që i është bërë Trump, lë hapësirë se në politikë nuk ka më rastësi sidomos kur ndodh disa herë. A ka skenarë apo jo? Përderisa ata nuk e thonë, ngelet një çështje interpretimi. E habitshme është që pse gjithë kjo dhunë ndaj Trump? Është dhunë politike, juridike dhe fizike.
Trump-it i bllokoheshin lloagritë bankare nuk kryente dot transaksione bankare, aq larg ka shkuar lufta politike ndaj tij, e kombinuar me elementë të tjerë”, tha Peka.
Eksperti shton se edhe vetë Trump përdor një retorikë të ashpër, por sipas tij, Trump nuk ka ndryshuar qëndrimet e tij ndër vite.
“Edhe vetë Trump nuk është i paqtë në retorikë, por nuk është i dhunshëm sa janë të tjerët. Ai nuk është figurë që doli nga hiçi. Ka qenë i famshëm për shumë arsye dhe kjo ka qenë retorika e tij. Qëndrimi i tij sot nga krizat globale janë qëndrime që i ka pasur edhe në ‘85, mund të jetë kaotik, por ai nuk ka ndryshuar. Amerikanët e kanë zgjedhur për një arsye. Ata që e kanë votuar kanë qenë të gatshëm t’ia falin një gjuhë disi agresive Trump-it”, tha Avenir Peka.
