Aktori i njohur turk Barış Arduç, një nga emrat më të dashur të televizionit në Turqi, ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut, këtë herë jo vetëm për karrierën e tij të suksesshme në aktrim, por edhe për jetën e tij para famës.
I lindur më 9 tetor 1987 në Scherzingen të Zvicrës, Arduç u zhvendos më pas me familjen në Turqi, ku kreu arsimin fillor dhe të mesëm. Rrugëtimi i tij drejt aktrimit nisi pasi u njoh me aktoren dhe artisten e teatrit Ayla Algan.
Para se të bëhej i njohur në ekran, Arduç ka pasur një profesion krejt tjetër: ai ka punuar si roje plazhi në Şile për rreth 8 vite. Në një intervistë, aktori ka rrëfyer se gjatë kësaj periudhe ka shpëtuar mbi një mijë jetë, duke e përshkruar atë si një eksperiencë të paharrueshme dhe shumë të rëndësishme në jetën e tij.
“Kam shpëtuar më shumë se një mijë njerëz,” është shprehur ai, duke surprizuar fansat me këtë detaj të panjohur më parë.
Barış Arduç, i cili ka fituar popullaritet të madh me projekte të suksesshme në televizion dhe kinema, është gjithashtu në vëmendje për jetën e tij personale. Ai është i martuar me aktoren Gupse Özay, me të cilën u njoh gjatë xhirimeve të filmit “Deliha”, dhe çifti është bërë prind i një vajze të quajtur Jan Asya.
Sot, Arduç vazhdon të jetë një nga figurat më të ndjekura të ekranit turk dhe po përgatitet për projekte të reja që pritet të takojnë së shpejti publikun./mxh
