Presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi vëmendjen me një koment të pazakontë për CEO-n e Google, Sundar Pichai, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me disa prej drejtuesve më të fuqishëm të industrisë globale të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.
Pas drekës me drejtuesit e kompanive të teknologjisë, Trump doli përpara gazetarëve i shoqëruar nga disa prej CEO-ve të pranishëm. Në një moment, ai ftoi Sundar Pichai të fliste. “Sundar, dëshiron të thuash diçka?”, e pyeti Trump.
Pichai nisi të përgjigjej duke falënderuar presidentin, por Trump e ndërpreu për t’iu drejtuar gazetarëve me një koment që shkaktoi të qeshura. “Ju nuk e keni idenë se kush janë këta njerëz. Këta janë disa nga njerëzit më të mëdhenj në botë. Ju nuk e keni idenë se kush janë”, tha Trump.
Më pas, duke iu referuar Pichai-t, shtoi: “Ky njeri është një përbindësh dhe askush nuk e njeh.” Në këtë kontekst, komenti ishte bërë me humor dhe i referohej ndikimit dhe fuqisë së madhe që drejtues të tillë kanë në industrinë globale të teknologjisë, pavarësisht se nuk përballen çdo ditë me të njëjtin nivel ekspozimi mediatik si figurat politike.Trump vazhdoi shakanë duke thënë se drejtuesit e teknologjisë bëjnë “një jetë fantastike”, pasi nuk u duhet të dalin vazhdimisht përpara gazetarëve. “Çfarë jete fantastike. Të jesh një përbindësh dhe të mos të duhet të kalosh nëpër këtë”, tha Trump, përpara se t’u kërkonte gazetarëve të mbanin mend emrin e drejtuesit të Google: “Gjithçka që duhet të dini është Sundar. Sundar është emri i tij.”
Pichai iu përgjigj komentit me humor: “Shpresoj të kem një slogan më të mirë sesa ‘jam një përbindësh’!” Por CEO i Google nuk ishte i vetmi drejtues teknologjie me të cilin Trump shkëmbeu batuta. Presidenti iu drejtua edhe CEO-s së Anthropic, Dario Amodei. Pasi e ftoi të afrohej, Trump iu kthye atij duke i thënë me shaka: “Ki kujdes.” Komenti erdhi në kontekstin e deklaratave të mëparshme të Amodei-t për rreziqet potencialisht shumë serioze që mund të sjellin sistemet e avancuara të Inteligjencës Artificiale. Amodei reagoi duke qeshur, por më pas iu kthye çështjes së konkurrencës globale në AI. “Siç ka thënë presidenti, kushdo që fiton në AI, fiton. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai, duke shtuar se kompanitë duhet të bashkëpunojnë për të siguruar që kjo garë të fitohet në mënyrë të sigurt.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë mblodhi disa prej emrave më të njohur të Silicon Valley. Krahas Sundar Pichai dhe Dario Amodei, të pranishëm ishin CEO i Meta, Mark Zuckerberg, CEO i Nvidia, Jensen Huang, Presidenti i OpenAI, Greg Brockman, si edhe Elon Musk.
Në qendër të takimit ishte siguria e Inteligjencës Artificiale dhe mënyra se si kompanitë mund të menaxhojnë rreziqet që lidhen me modelet gjithnjë e më të avancuara. Trump prezantoi gjithashtu një marrëveshje vullnetare për sigurinë e AI-së, e cila parashikon disa nivele kontrolli për kompanitë pjesëmarrëse, përfshirë auditime të pavarura, mbikëqyrje në nivel drejtues dhe monitorim të modeleve gjatë trajnimit dhe përdorimit. Marrëveshja nuk përbën rregullore të detyrueshme federale, por synon të krijojë një kornizë të përbashkët sigurie mes disa prej kompanive që po udhëheqin zhvillimin e Inteligjencës Artificiale./ad
