Last Updated on 27/04/2026 by EL
Në Bazilikën kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë u mbajt mesha solemne, drejtuar nga kardinali i Bazilikës Papnore “Santa Maria Maggiore”.
Morën pjesë qindra besimtarë nga i gjithë vendi, mes tyre pelegrinët që udhëtuan në këmbë nga Dioqeza e Rrëshenit drejt Shkodrës.
Mesazhe shprese dhe reflektimi përcollën Arqipeshkvi i Shkodrës, Giovanni Peragine dhe kardinali i Bazilikës Papnore “Santa Maria Maggiore, Rolandas Makrickas, të cilët theksuan rëndësinë shpirtërore të kësaj dite dhe figurës së Zojës së Këshillit të Mirë.
“Në këtë vit kaq domethënës, në të cilin përkujtojmë 130-vjetorin e shpalljes së Marisë, Nana e Këshillit të Mirë si Pajtore qiellore e Shqipërisë, kuptojmë me mirënjohje se Maria ka ecur me këtë popull në histori: në kohë sprovash, në vuajtje, në përndjekje, por edhe në ringjallje dhe shpresë”, tha kardinali Rolandas Mackrickas.
Në këtë kuadër, u theksua dhe rëndësia e Vitit Jubilar, me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Shqipërisë.
Më 26 prill, kalendari kishtar përkujton festën e Zojës së Këshillit të Mirë. Sipas legjendës, Zoja u largua në vitin 1467 për t’u shpëtuar turqve dhe u vendos në Genazzano të Italisë, ku nderohet edhe sot si një nga shenjtëroret më të rëndësishme. Kjo figurë është e lidhur ngushtë me historinë e vështirë të katolicizmit në trojet shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Gjatë shekujve të pushtimit, katolikët e ruajtën besimin në kushte të vështira, duke e mbajtur gjallë devocionin ndaj Zojës./et
