Friedrich Merz ka deklaruar se Ukraina duhet të ketë një perspektivë të qartë drejt Bashkimit Evropian, por paralajmëroi se anëtarësimi nuk mund të ndodhë në një afat të shkurtër dhe kërkon kohë të gjatë.
Gjatë një fjalimi para studentëve, Merz theksoi se është thelbësore që popullit ukrainas t’i jepet siguri për një të ardhme evropiane, duke shtuar se pritshmëritë për anëtarësim deri në vitet 2027 apo 2028 nuk janë realiste.
Ai gjithashtu sugjeroi se, në kuadër të një marrëveshjeje të ardhshme paqeje me Rusinë, Ukraina mund të detyrohet të pranojë humbjen e përkohshme të disa territoreve. Sipas tij, nëse presidenti Volodymyr Zelenskyy do të përballet me një vendim të tillë, ai duhet t’u ofrojë qytetarëve një alternativë të qartë: afrimin konkret me Evropën.
Merz nënvizoi se Bashkimi Evropian duhet të paraqesë një plan të besueshëm dhe hapa konkretë për integrimin e Ukrainës, duke përfshirë masa të ndërmjetme si pjesëmarrja si vëzhgues në institucionet evropiane.
Ndërkohë, procesi i anëtarësimit mbetet i ndërlikuar, pasi kërkon përmbushjen e kritereve të rrepta, përfshirë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe nuk mund të zhvillohet gjatë kohës së luftës.
Deklaratat e kancelarit gjerman vijnë në një moment kur Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Ukrainën financiarisht dhe politikisht, por mbetet i ndarë për ritmin e zgjerimit./mxh
