Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Pak javë para nisjes së Botërorit, lista e futbollistëve të dëmtuar vazhdon të zgjerohet, duke krijuar probleme të rëndësishme për disa nga kombëtaret kryesore.
Një nga mungesat më të rëndësishme është ajo e Xavi Simons për Holandën. Mesfushori u dëmtua në gju gjatë ndeshjes Totenham-Wolves dhe u detyrua të mbyllë sezonin para kohe. Vetë lojtari konfirmoi përmes rrjeteve sociale se nuk do të jetë pjesë e Botërorit, ndërsa dyshimet e para flasin për një dëmtim në ligamentin e kryqëzuar, që kërkon një periudhë të gjatë rikuperimi.
Holanda, që në fazën e grupeve do të përballet me Japoninë, Suedinë dhe Tunizinë, humbet një element të rëndësishëm në mesfushë.
Problemet nuk ndalen këtu. Edhe Brazili do të duhet të bëjë pa Eder Militao. Mbrojtësi i Real Madrid pësoi një dëmtim në kofshë gjatë ndeshjes ndaj Alaves dhe analizat konfirmuan një dëmtim në biceps femoris të këmbës së majtë.
Pas një periudhe reflektimi, ai vendosi t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Finlandë, një operacion që do ta mbajë jashtë fushave për rreth pesë muaj. Alternativa e trajtimit konservativ do ta kishte rikthyer në rreth pesë javë, por me rrezik të lartë rikthimi të dëmtimit, ndaj lojtari zgjodhi operacionin.
Ndërkohë, Luka Modriç ka mbyllur sezonin me Milanin pas një dëmtimi të pësuar në ndeshjen kundër Juventusit. Mesfushori kroat ka pësuar një frakturë në kockën e mollëzës së majtë pas një përplasjeje me Manuel Locatellin. Ai pritet t’i nënshtrohet një operacioni dhe do të mungojë në katër javët e fundit të kampionatit. Megjithatë, pjesëmarrja e tij në Botëror nuk duket e rrezikuar, pasi mund të luajë me një maskë mbrojtëse.
Situatë e paqartë është edhe ajo e Hakan Çalhanoglu te Interi. Mesfushori turk, protagonist në gjysmëfinalen ndaj Comos, po përballet me një dëmtim muskulor në këmbën e majtë, konkretisht në muskulin soleus.
Problemi u evidentua pas barazimit me Torinon, ku trajneri Cristian Chivu konfirmoi se lojtari nuk ishte në gjendje optimale fizike. Finalja e Kupës së Italisë kundër Lazios, e planifikuar për 13 maj në “Olimpico”, është në rrezik për të, ndërsa ekziston mundësia që sezoni i tij të ketë përfunduar para kohe./mxh
