Last Updated on 27/04/2026 by EL
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në studion e News24, ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Balldren të Lezhës, ku një çift bashkëshortësh u ekzekutua me armë zjarri në një atentat të dyshuar me sfond hakmarrjeje.
Sipas Softës, atentati rezulton të jetë i mirëorganizuar dhe i ndërtuar mbi një konflikt të vjetër mes palëve. Ai theksoi se bëhet fjalë për një përplasje të pashuar prej rreth 10 vitesh, e cila nuk ka marrë zgjidhje ligjore dhe, si pasojë, është trashëguar ndër breza.
“Është një konflikt i mbartur në kohë, që fatkeqësisht ka kaluar deri në brezin e tretë. Ngjarja mund të ishte parandaluar, pasi viktimat nuk dyshonin se hakmarrja do të vijonte,” u shpreh ai.
Eksperti nënvizoi gjithashtu se zona e Lezhës njihet për raste të tilla, duke sugjeruar se personat me precedentë të ngjashëm duhet të mbahen nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga autoritetet.
Sa i përket autorëve, Softa u shpreh se ata kanë treguar profesionalizëm në organizimin e atentatit, por njëkohësisht kanë bërë gabime për shkak të emocioneve. “Kanë lënë gjurmë, ka pamje filmike, nuk kanë qenë të maskuar dhe mënyra e largimit nga vendngjarja nuk ka qenë profesionale,” tha ai./et
