Last Updated on 27/04/2026 by Monika
Ditën e sotme u bë me dije se Ervin Mata është vënë në pranga dy ditë më parë në Brazil, pasi ndaj tij kishte një urdhër ndërkombëtar arresti nga qeveria braziliane.
Në kërkim ndërkombëtar/ Arrestohet Ervin Mata
Por kush është Ervin Mata?
I njohur dhe si i fejuari i këngëtares Elvana Gjata, emri i Ervin Matës doli në skenën e botës së krimit në vitin 2018.
Në një lokal në zonën e ish-Bllokut, më 4 tetor 2018 ndodhi një përplasje me armë, ku të përfshirë ishin Ervis Martinaj dhe Ervin Mata. Ngjarje nga e cila mbeti i vrarë njeriut i Martinajt, Fabjol Gaxha si dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Ngjarje per të cilën pas disa muaj arratie, Mata mohoi të ishte i përfshirë.
Megjithatë ky nuk është rasti i vetëm ku Ervin Mata, që rezulton të jetë dhe pronar biznesesh, është përfshirë në botën e krimit.
E famshmja dosja “Metamorfoza” mes shumë emrave të tjerë, nxorri dhe emrin e Ervin Matës nga përgjimet me Sky EÇ. Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme e shpalli Ervin Matën në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut. Po ashtu Ervin Mata akuzohet dhe për veprat penale të vrasjes dhe pastrimit të parave.
Katër dërgesa me kokainë të kapura në vitin 2021 në Holandë, Brazil, Gjermani dhe Spanjë, janë bërë objekt i hetimit të prokurorisë së posaçme SPAK, ndaj anëtarëve të grupit të Ervin Matës. Bëhet fjalë për një sasi prej 931 kg kokainë dhe lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, që janë kapur në katër shtete dhe SPAK ka provuar se organizatorë të dërgimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, ishin pikërisht shqiptarët, që drejtoheshin nga Ervin Mata./mxh
